Një raport i forenzikës i publikuar nga autoritetet iraniane tha se vdekja e Mahsa Aminit nuk u shkaktua nga goditjet në kokë dhe gjymtyrë, por ishte e lidhur me një sëmundje. Këto gjetje janë kundërshtuar nga familja e 22-vjeçares, që thanë se ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore para se të dërgohej në paraburgim për shkeljen e rregullave të hixhabit.
Agjencia shtetërore e lajmeve, ISNA, tha më 7 shtator se Organizata Shëndetësore e Forenzikës ka përcaktuar se “një sëmundje” ishte shkaktare e vdekjes së Aminit, por nuk është përmendur nëse ajo kishte pësuar ndonjë lëndim. Sipas televizionit shtetëror iranian, në raportin e forenzikës thuhet se vdekja e Aminit ishte e lidhur me “një ndërhyrje kirurgjike për tumor në tru, kur ajo ishte tetëvjeçare”.
Amini ishte arrestuar më 13 shtator nga policia e moralit të Iranit dhe vdiq tri ditë më pas.
Dëshmitarët kanë thënë se Amini ishte rrahur gjatë arrestimit, ndërkaq babai i saj ka deklaruar se ajo kishte pasur shenja të dhunës në këmbët e saj, duke mbajtur përgjegjës policinë për vdekjen e së bijës. Vdekja e Aminit ka nxitur një valë protestash në mbarë Iranin, lidhur me trajtimin e grave dhe kushteve të rënda të jetesës në përgjithësi.
Ndërkaq, nëna e një 16-vjeçarje që u vra gjatë protestave për Aminin, ka hedhur poshtë pretendimet zyrtare se vajza e saj ra nga një ndërtesë, duke thënë se e bija kishte pësuar goditje në kokë. Nasreem Shakrami tha për Radion Evropa e Lirë se është nën presion nga autoritetet që të ndjekë narrativin e Qeverisë – që vajza e saj ra nga një ndërtesë – sa i përket arsyes së vdekjes së vajzës së saj.
Shakrami tha se autoritetet mbajtën sekret vdekjen e vajzës së saj, Nikas, për nëntë ditë dhe më pas ata nxorën fshehurazi trupin e pajetë të saj nga morgu për ta varrosur në një zonë të largët, pa pëlqimin e familjes.
Sipas saj, në raportin e forenzikës thuhej se disa nga dhëmbët e Nikas dhe disa eshtra në fytyrë ishin të thyera dhe kishte fraktura në kafkë. Kjo bëri që nëna e saj të dyshojë se Nika ishte rrahur.
“Të gjitha dëmtimet i kishte në kokë”, tha ajo.
Të paktën 154 persona, përfshirë nëntë fëmijë, janë vrarë gjatë 18 ditë protesta, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, teksa Qeveria iraniane ka paralajmëruar për shtypje më të ashpër të protestave, nëse ato vazhdojnë./REL