Një aksident i rëndë ndodhi gjatë ditës së djeshme në plazhin e Jalës, ku një 37-vjeçar humbi kontrollin e gomones dhe më pas dëmtoi rëndë dy pushues. 37-vjeçari është arrestuar nga policia e Himarës, ndërsa është sekuestruar edhe mjeti lundrues.
Njoftimi i Policisë:
Jalë, Himarë
Humbi kontrollin e mjetit lundrues dhe për pasojë dëmtoi dy pushues që ishin në breg të detit, vihet në pranga 37-vjeçari.
Sekuestrohet mjeti lundrues tip gomone.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të veprimeve hetimore, në lidhje me ngjarjen e ndodhur paraditen e djeshme, në plazhin Jalë, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin Gj. P., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi Gj. P., duke drejtuar mjetin lundrues tip gomone, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë në breg të detit duke dëmtuar shtetasit A. S., 31 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeçe, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin mjekësor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.