Demokratët e vjetër nuk janë dakord aspak me idenë që kryetari Lulzim Basha të qëndrojë ende në drejtimin e partisë që mbeti sërish në opozitë edhe pas 8 viteve.
Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-Presidenti, Bujar Nishani, kërkon që kryedemokrati Basha të japë dorëheqjen pas humbjes së tij në zgjedhjet e 25 prillit, duke lënë kështu në pushtet kryeministrin Edi Rama, që mori sot një mandat të tretë.
Në një status në Facebook, ish-Presidenti Nishani, shkruan se është momenti që Bahsa të pranojë humbjen e tij, dështimin e tij personal dhe të largohet nga Partia Demokratike, dhe të mos e mbajë peng këtë të fundit.
Nishani duke kërkuar largimin e Bashës nga drejtimi i PD-së, e ngarkon atë me përgjegjësinë kryesor të humbjes së zgjedhjeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Nishani shkruan se rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim për votuesit dhe mbështetësit e opozitës.
Nishani thekson se sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për t’u ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë. Ai shton se Basha Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh.
“Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu. Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve. Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim”,- shprehet Nishani ndër të tjera.
Deklarata e plotë e ish-Presidentit Nishani:
“Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.
Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve !
Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjëson atë pak nga pak.
Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.
Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike radhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal !
Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh !
Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.
Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.
Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.
Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim!”
/Priza.al/