“Qeveria e Hungarisë është e shqetësuar për furnizimet me armë në Ukrainë dhe ka frikë se disa nga vendet e BE-së mund të dërgojnë trupat e saj atje”, deklaroi sot kryeministri hungarez Viktor Orban.
Ai shprehu shqetësim serioz se “e gjithë Evropa po rrëshqet në luftë dalëngadalë” pasi vendet e BE-së po dërgojnë tanke në Ukrainë dhe po kërkojnë ta furnizojnë atë me avionë luftarakë. “Nëse gjërat vazhdojnë në këtë mënyrë, do të ketë nga ata që mund të duan të dërgojnë edhe trupa në Ukrainë”, tha ai në hapjen e sesionit pranveror të parlamentit hungarez.
Obran theksoi se qeveria e tij insiston në zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës me mjete paqësore dhe u bëri thirrje deputetëve hungarezë që të mbrojnë këtë pozicion. “Ata duan të na tërheqin në këtë luftë, por unë ju bëj thirrje që të mos dorëzoheni para provokimeve”, tha Orban.
“Ne kemi nevojë për një armëpushim, kemi nevojë për bisedime paqeje. Kjo është arsyeja pse Hungaria këmbëngul për paqen në të gjitha forumet ndërkombëtare,” tha ai, duke shtuar se për këto arsye Hungaria mbështet planin e paqes të Kinës për Ukrainën.