Hungaria forcon lidhjet me Rusinë, do të marrë më shumë gaz rus në 15 vitet e ardhshme

Kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi se Budapesti do të kërkojë të rrisë importet e gazit natyror rus, i cili shtoi se do të bisedojë me  presidentin Vladimir Putin javën e ardhshme.

Hungaria, një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, në shtator nënshkroi një marrëveshje të re 15-vjeçare të gazit me Gazprom, sipas së cilës gjigandi shtetëror rus i gazit u zotua të dërgonte 4.5 miliardë metra kub gaz në Hungari çdo vit përmes linjave që anashkalojnë Ukrainën.

“Unë do të doja të rrisja sasinë e gazit që do t’i dërgohet Hungarisë nga nivelet e rënë dakord në kontratën ruso-hungareze të gazit,” tha Orban, i cili mban lidhje miqësore me Putinin

Zyrtarët ukrainas kanë kritikuar marrëveshjen e gazit midis Budapestit dhe Rusisë, me Ministrinë e Jashtme në Kiev që e quajti masën “një vendim krejtësisht politik, ekonomikisht të paarsyeshëm të marrë në favor të Kremlinit, ndërsa në dëm të interesave kombëtare të Ukrainës dhe lidhjeve ukraina-hungareze”.

I pyetur për tensionet aktuale midis Rusisë dhe Ukrainës, të shkaktuara nga dislokimi i më shumë se 100,000 trupave nga Moska pranë kufirit me fqinjin e saj perëndimor, Orban tha për radion shtetërore se Hungaria ishte “e interesuar për paqen”.

Ai shtoi se do të kërkojë të forcojë bashkëpunimin me Rusinë në industrinë ushqimore, turizmin dhe kërkimin hapësinor. Orban javën e kaluar hodhi poshtë thirrjet e opozitës për të anuluar vizitën e tij në Moskë, të planifikuar për 1 shkurt.

Shefi i qeverisë hungareze deklaroi gjithashtu se në bisedën me Putin do të vinte në fokus edhe situatën në Ukrainë.

“Sigurisht që Hungaria është një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, kështu që përpara takimit unë do të koordinohem me aleatët evropianë. Hungaria është e interesuar për një zgjidhje paqësore mes Ukrainës dhe Rusisë.”

/Burimi: REL/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *