“Hyjmë në zgjedhje për të fituar”/ Basha për 6 marsin: Berisha dhe Meta kanë qenë pengesë, jo vlerë e shtuar!

Kryedemokrati Lulzim Basha, në një intervistë për News 24 u shpreh se shqiptarët nuk duan thjesht një bashkim mekanik koalicioni por duan një koalicion me vlera, një koalicion moral me shumicën dërrmuese të shqiptarëve ku qartësisht si Sali Berisha edhe Ilir Meta kanë qenë dhe janë pengesë dhe jo vlerë e shtuar.

I pyetur nëse ndjen keqardhje për ndonjë prej figurave që  tashme janë përjashtuar nga Partia Demokratike, Basha u shpreh se ata kanë vendosur me vetëdije kundër interesit të demokrateve, kundër interesave të shqiptarëve për interesat personale, duhet të bëjnë një analizë të thellë me veten e tyre.

Pyetje: Zoti Basha përtej kësaj mbështetjeje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila është treguar e qartë si do iu përgjigjeshit asaj dileme që mund të kenë të gjithë demokratët ndaj jush si kryetar i Partisë Demokratike që nuk arritët të mposhtnit Edi Ramën dhe të vinit në pushtet atëherë kur Partia Demokratike nuk i ka pasur këto që ju i quani sulme e keni qenë një  koalicion i madh? Si do të ndodhë tani që është në këtë situatë?

Lulzim Basha: Shumica e demokratëve besoj e kanë të qartë tashmë ndryshimin midis një koalicioni numerik, matematik dhe një koalicioni numerik moral. Në rrethanat e para 25 prillit ne u përpoqëm  të krijojmë një koalicion numerik matematike. Padiskutim që pala tjetër nëpërmjet manipulimit të Kodit Zgjedhor ia doli që shumicën matematike ta godiste me masakrën zgjedhore të 25 prillit duke përdorur edhe të gjithë trukeve të tjera që vijnë nga bashkëpunimi me krimin e organizuar, blerjen e votës, përdorimin e aseteve shtetërore, kërcënimet ndaj administratës shtetërore etj. Por thelbi nuk qëndron këtu. Thelbi qëndron që shqiptarët nuk duan thjesht një bashkim mekanik që çoi koalicioni numerik i cili merr pushtetin dhe pastaj i përgjigjet kujt? Vagonëve të këtij treni? Jo! Qëllimi është t’u përgjigjemi qytetarëve problemet dhe hallet e të cilëve janë shtuar, shpresat e të cilëve janë shumë të mëdha dhe vendi i ka të dyja mundësitë t’i bëjë të dyja edhe të zgjidhë hallet e njerëzve, edhe t’u përgjigjet këtyre shpresave. Si mund ta bëjmë të mundur? Pikërisht duke krijuar një tjetër lloj koalicioni, një koalicion me vlera, një koalicion moral me shumicën dërrmuese të shqiptarëve ku qartësisht si Sali Berisha edhe Ilir Meta kanë qenë dhe janë pengesë dhe jo vlerë e shtuar. Dhe këtu vjen përgjigja e thjeshtë dhe e qartë për të gjithë demokratët që duan që sakrifica e tyre për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë të kurorëzohet me sukses, jo thjesht për veten e tyre por për Shqipërinë dhe shqiptarët, pra demokratët e sakrificës meqë referencë morëm demokratët, por edhe për të gjithë shqiptarët, që pushteti nuk duhet të shikohet si një vegël dhe një mundësi për politikanët, por si një instrument ndryshimi për qytetarët dhe do të jetë i tille vetëm kur ne të materializojmë një koalicion numerik bazuar mbi vlerat dhe moralin për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, përfshirë edhe socialistet, përfshirë edhe qytetarët e pavendosur që do të duhet ndryshimi. E duan siç e deshi shumica me 25 prill, e duan edhe me shumë sot.

Pyetje: Pse duhet t’ju besojnë ju demokratët?

Lulzim Basha: Po e them më thjesht dhe më shkurt, sepse demokratet dhe shqiptarët te Partia Demokratike kanë sot shpresën e vetme për ndryshim. Ne kemi sakrifikuar gjithçka për të materializuar këtë shprese, kemi treguar se kemi forcën brenda vetes për tu ndarë edhe nga hijet e të shkuarës, edhe nga korrupsioni i të shkuarës, ndërkohë që vazhdojmë betejën e të sotmes që është regjimi  i Edi Ramës. Pra nga njëra anë kemi shumicën me vete, shumica është për ndryshimin, e do ndryshimin që ne e mishërojmë edhe në vizionin tonë, edhe në programin tonë, edhe në luftën tonë të përditshme. Dhe e dyta që do ta them fare qartë, përballë kemi si asnjëherë tjetër Edi Ramën, Sali Berishën e Ilir Metën, që së bashku janë me të vegjël seç kanë qenë kurrë më parë. Pra ajo që mund të duket sot si paradoks, sot është e vërtetë. Ata të tre bashkë janë pakica absolute për shqiptarët. Partia Demokratike e çliruar nga pesha e të shkuarës, do ta marrë ketë shumice përpara drejt së ardhmes.

Pyetje: A ndjeni keqardhje zoti Basha për ndonjë prej figurave që  tashme janë përjashtuar nga Partia Demokratike, të tjerë që janë pezulluar nga ana juaj, a ka figura që mund të kenë zhgënjyer?

Lulzim Basha: Shiko zhgënjimi apo le të themi gëzimi nga bashkëpunimi politik duhet të burojnë nga rezultati që behet për ndryshim. Ata që kanë vendosur me vetëdije kundër interesit të demokrateve, kundër interesave të shqiptarëve për interesat personale, duhet të bëjnë një analizë të thellë me veten e tyre. Hesapet i kanë vetëm me demokratët dhe me shqiptarët, për diçka që është në nivel personal, sigurisht kushdo që do të reflektoje, dera është e hapur, por ky reflektim duhet të jetë i vërtetë, bindes, publik dhe i plotë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *