Hyn në fuqi ligji që “djeg” Ilir Metajn/ Specialistët hapin dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit

Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimi mbi këto dokumente ka qenë prej vitesh një nga dilemat e mëdha me të cilat është përballur shoqëria shqiptare pas periudhës së komunizmit. Edhe pse një proces tashmë i vonuar, hapja e dosjeve duket se ka filluar të japë informacion dhe të hedhë dritë mbi vitet e diktaturës përmes ngritjes së institucionit të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Deri më tani ligji e ndalonte hapjen e dosjeve, pasi në vitin 2015 PS dhe LSI futën një nen që ndalonte verifikimin e emrave që ishin subjekte të komisioneve Bezhani dhe Mezini. Meta ishte verifikuar prej tyre dhe AIDSSH nuk e verifikonte dot për së dyti. Por duke nisur që nga data 2 dhjetor, institucioni i drejtuar nga Gentiana Sula ka të gjithë hapësirat ligjore që të bëjë zbulimin e dokumenteve. Vetë Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka thënë se do i publikojë të dhënat në faqen zyrtare të institucionit. Ndërkohë përveç Ilir Metajt, janë dhe 5 politikanë të lartë të të rrezikuar. Pritet që dhe emrat e tyre të zbulohen.

Nis zbërthimi i dokumenteve

Provat që ka në duar Autoriteti i Dosjeve është arkiva e paprekur. Këtë e deklaroi Gentiana Sula. Nga dy dhjetori ka nisur dhe zbërthimi i dokumenteve, pasi ishte kjo skema që do të ndiqej nga ky institucion. “Ne kemi patur dyshimet tona, administruam të gjithë arkivin e tyre. Praktikat që kanë sjellë në këto vendime ne i kemi marrë diku të paplota, diku pa firmë, pa vulë, pa relacione të hollësishme. Komisionet Mezini dhe Bezhani thjesht kanë bërë verifikimin përmes institucioneve të tjera, në atë kohë i ka bërë SHIK-u dhe Ministria e Brendshme verifikimet, ndërsa në rastin tonë arkiva është e gjitha këtu dhe kjo krijon një mjet të rëndësishëm për besimin, pasi jep instrumentin këtu në dorë. Ndërkohë deri dje thuhej “ka dosje individi” dhe përmendej fjala dosje me një emër e kujt është dosja, ndërsa sot objektivi ynë është që përmes dosjes të shkohet tek dokumentet që ka brenda në dosje dhe përtej saj të shkohet tek dhënat që prodhohen brenda në dokument. Ne kemi dhe arkivën por dhe stafin e specializuar, gjë që i ka munguar dy komisioneve të mëparshme”, tha Gentiana Sula.

Si u miratua ligji për hapjen e dosjeve

Iniciativa për ndryshimin e ligjit erdhi nga mazhoranca pasi Autoriteti për Dosjet (AIDSSH) njoftoi Kuvendin se në një email anonim kishte hedhur dyshime se një politikan i lartë me inicialet I.M kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit famëkeq të shtetit. Autoriteti kërkoi të drejtën për të riverifikuar figurat e zyrtarëve të lartë që kishin marrë “certifikatë pastërtie” nga dy komisione të ngritura në vitet pas rënies së komunizmit. I dyshuari kryesor i gjëegjëzës, ish-presidenti Ilir Meta, i hodhi poshtë akuzat dhe e cilësoi iniciativën një sulm politik. Neni që ndalonte autoritetin për verifikimin e Metës u rrëzua, por gjatë diskutimeve në Kuvend debati politik e anashkaloi këtë çështje duke u fokusuar tek një nen i ri që parashikon aksesin në dosjet e ish-sigurimit për çdo qytetar. Por me hyrjen në fuqi të këtij ligji, janë të shumtë politikanët që preken, ku listës për t’u larguar nga politika dhe vendimmarrja publike i prin Ilir Metaj, ndërsa të njëjtin fat si ky i fundit i pret edhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë pjese e politikës, qeverisë, ushtrisë, SHISH, Policisë dhe administratës, që iu kanë shpëtuar filtrave të komisioneve “Bezhani” dhe “Mezi”, por që në rast se gjatë hetimeve rezultojnë që kanë qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit, ata do të largohen nga sistemi. Pra, hapja e dosjeve do të shkundë politikën shqiptare dhe fusha të tjera, ku spiunët dhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit do të diskreditohen dhe flaken nga sistemi. Thënë troç, “tërmeti” do të ndodhë pasi në ligjin e ri reflektohet plotësisht kërkesat e Autoritetit, së pari në shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të ligjit dhe së dyti qartësimin e detyrimit për t’u verifikuar për kandidatët në zgjedhjet vendore e qendrore.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *