Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit(GJKKO) ka nisur gjykimin për Gjergj Cukalit, një nga personazhet më të rrezikshëm në kryeqytet. Cukali akuzohet për 2 atentate me tritol, kanosje gjyqtari dhe bazë armësh në Tiranë.
Kush është i “forti” i Myslim Shyrit?
Cukali akuzohet për tentativën e vrasjes ndaj Gjon Menës me eksploziv në makinë, ka arestuar 3 persona, dy vëllezërit Enver dhe Edmond J., si dhe Gjergj Cukalin, i cilësuar si “i forti i Myslym Shyrit”.
Gjergji Cukali besohet se është porositësi i vrasjes me eksploziv të mbetur në tentativë. Burime për mediat bëjnë me dije se ky i fundit i ka premtuar 40 mijë euro dy vëllezërve, për eliminimin e Menës.
Fillimisht ai u ka dhënë atyre 10 mijë euro, duke i premtuar se do i jepte 30 të tjera në momentin e eliminimit të 32-vjeçarit. Njëri nga vëllezërit ishte marrë me krijimin e lëndës plasëse, ndërsa tjetri kishte për detyrë ta vendoste poshtë makinës luksoze të Menas.
Cukali ka miqësi me persona të njohur të botës si krimit, mes tyre edhe Emiljano Shullazi. Akuzat që rëndojnë mbi të janë të shumta, duke filluar nga “pengmarrje”, “armëmbajtjet pa leje” “vrasje me paramendim” dhe “shpërndarje droge”. Për herë të fundit ai u arrestua në 12 Prill 2018, pasi kishte shkelur masën e sigurisë, “arrest shtëpie”.
Ndërsa në Korrik të vitit 2016 ai u arrestua së bashku me 16 persona të tjerë si pjesë e një rrjeti kriminal që shpërndante kokainë në Tiranë. Ky grup drejtohej pikërisht nga Cukali, dhe sipas policisë, fitimet e tyre shkonin në 50 mijë Euro në muaj.
Më 24 Nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 10 vite burg Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004 në rrugën “Myslym Shyri” pas një konflikti për 100 mijë Euro. Cukali përfitoi amnisti dhe doli pas disa vitesh.
Më 20 Gusht 2012, nga Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë Gjergji Cukali u arrestua, pasi sipas policisë, gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e Policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.