Themeluesi dhe ish-CEO i bursës turke të kriptovalutave Thodex, Faruk Fatih Ozer, i cili u ekstradua në Turqi nga Ministria e Drejtësisë shqiptare, u la në paraburgim të dielën nga një gjykatë.
Pas marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Stambollit, Ozer, deklarata e të cilit u mor nga prokuroria në gjykatë, u transferua në gjykatën penale.
Më pas atij iu caktua masa e paraburgimit me akuzën e “themelimit dhe drejtimit të organizatës kriminale, mashtrimit të rëndë dhe pastrimit të vlerave të pasurisë”.
Ai u soll në Turqi të enjten pasi Gjykata e Apelit në Durrës në Shqipëri vendosi ekstradimin e tij.
I shpallur në kërkim Ozer u kap në Shqipëri më 30 gusht 2022. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan në Shqipëri për vazhdimin e paraburgimit të Ozerit më 2 shtator 2022 u ankimua nga avokatët e tij më 14 shtator.
Gjykata e Apelit në Durrës la në fuqi vendimin e gjykatës për ndalimin e Ozerit më 20 shtator.
Në seancën e datës 17 nëntor, Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan deklaroi se kërkesa e Prokurorisë së Elbasanit “për të lejuar ekstradimin e Ozerit në Turqi” u pranua dhe Ozer e apeloi këtë vendim më 7 dhjetor.
Në seancën e mbajtur më 30 dhjetor në Gjykatën e Apelit të Durrësit, vendimi për ekstradimin e Ozerit në Turqi u la në fuqi.