Ish-ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Numan Baliç është shpallur fajtor për veprën penale ‘sulm seksual’ dhe është dënuar me dy vite burg. Atij do t’i llogaritet dhe koha e kaluar në paraburgim e arrest shtëpiak.
Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten nga gjykatësi Shaqë Curri, Baliçit i është komunikuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit të mjekut për dy vite. Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, Baliç kishte thënë se nuk ndihet fajtor për veprën që është akuzuar nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Sipas aktakuzës së 29 shtatorit të vitit 2020 Baliç akuzohet se më 12 gusht të atij viti me dashje, e në cilësi të profesionistit shëndetësor ka keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, dhe i ka kërkuar që ta prekë me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, ndërkohë që viktima atë natë ka qenë duke e shoqëruar foshnjën gjashtëmuajshe, të hospitalizuar në repartin e ortopedisë.