GJKKO ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për Kristo Agalliun, i cili i premtoi 15 mijë lekë për 4 vota Agron Duros. SPAK kërkoi të lihej në burg, por Gjykata e Posaçme vendosi ta lërë në arrest shtëpiak. Në dëshminë e tij, Agalliu ka thënë: “Nuk mbaj mend asgjë! Kam qenë duke pirë në lokal”.
Agron Duro doli zbuluar pasi pak ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, në mediat sociale janë publikuar video përmes të cilave të dyshuarit, flasin për shit-blerje të votave. Një prej tyre lidhet me një video të filmuar nga telefoni, të një personi, i identifikuar tashmë nga policia, bën haptazipazar në kafe për shitjen e votës.
Video pretendohet se është filmuar në një lokal në zonën e Freskut në kryeqytet. Personi në pamje është Agron Duro 61 vjeç banues në Tiranë, që tashmë po hetohet në gjendje të lirë nga policia. Në anën tjetër të telefonit, është Kristo Agalliu, 52 vjeç.
Në video dëgjohet Duro që i premton Kristo Agalliut se ka 4 vota, dhe bien dakord që të paguhen 10 mijë lekë për votën dhe 5 mijë për karburantin për rrugën që Agron Duro do me makinën e tij, do të bënte, ndoshta drejt Kuçovës, bashkë me 4 votuesit që pretendohet se do paguheshin.
“100 mijë lekë është turp. ia marrim por është turp 100 mijë lekë. Ti 2 vota ke, unë kam 4 vota. Po mirë unë kam makinë vetë, c’e dua makinën atje. Të më hedhë karburantin ai. E ul pazarin nga e keqja. 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë. Pazari i fundit”, thotë Duro.
Në videon e regjistruar me telefon, Agron Duro nuk përmend se në emër të cilës parti po blihen votat, por në media u përfol se Kristo Agalliu është koordinator i Partisë së Lirisë në Kuçovë.