Gjykata holandeze ka kërkuar 30 muaj burg për Eljo Bitrin, i cili u arrestua në kufi me Gjermaninë bashkë me një person nga Serbia. Ai u kap në pikën kufitare De Lutte brenda një “Mercedes Benz”-i luksoz të drejtuar nga 49-vjeçari serb Ohran K.. Në mjet, policia holandeze ka sekuestruar 3 pistoleta me silenciator të llojeve “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Zastava” të gjitha të kalibrit 9 mm si dhe mbi 5 mijë euro cash.
Bitri dyshohet se ishte nisur të kryente atentat. Ai ishte rekrutuar për të kryer një vrasje për një grup kriminal në Roterdam, ndërsa Ohran K., ishte thjesht shofer i Mercedesit.
Në momentin që do të mbarojë dënimin, Bitri do të deportohet drejt Shqipërisë, pasi SPAK e ka shpallur në kërkim për vrasje. Emri i tij doli nga dëshmia e të shumëkërkuarit që u bë i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Ai njihet edhe me emrin Bledar Debrova dhe Dumani deklaroi se ishte përfshirë në planifikimin e vrasjes së Sokol Sanxhaktarit. Gjithashtu akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt, Emiljano Ramazanit dhe se ka qenë personi që ka sulmuar me eksploziv banesën e Talo Çelës.