Në moshën 85-vjeçare, ish-kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni i është bashkuar TikTok-ut, duke kërkuar së bashku me liderët e tjerë politikë të Italisë që të tërheqin votuesit më të rinj në moshë, të cilët rrezikojnë të abstenojnë në zgjedhjet e përgjithshme më vonë këtë muaj.
“Përshëndetje djema, ja ku jam! Mirë se vini në kanalin tim zyrtar TikTok!“, tha ish-kryeministri dhe miliarderi Berluskoni, në videon e tij debutuese në rrjetin e mediave sociale që njihet më shumë për video kërcimesh dhe përdoret kryesisht nga adoleshentët dhe influencierët.
Një video e dytë pasoi me shpejtësi, me Berluskonin ende me kostum, por të ulur në një karrige dhe duke treguar një shaka që përfshinte presidentin rus Vladimir Putin, presidentin e SHBA Joe Biden dhe Papa Françeskun.
Të dyja përfunduan me lëvizjen e kokës nga njëra anë në tjetrën në kohë për të thënë lamtumirë “në Tik Tok”, një gjest që duket i destinuar për t’u bërë viral.