Policia e Tiranës ka arrestuar sot 56-vjeçarin Selman Balla, i cili ishte dënuar më parë në Itali, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, ”Grabitja” dhe ”Armëmbajtja pa leje”.
56 vjeçari ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet italiane dhe është bërë arrestimi i këtij shtetasi me qëllim ekstradimin drejt shtetit fqinj.
Njoftimi i Plotë
Tiranë
Finalizohet një tjetër operacion për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni policor i koduar “Linza”, i zhvilluar nga DVP Tiranë, në bashkëpunim me Fast Albania dhe Interpol Tirana.
Arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 56-vjeçari i dënuar me 11 vite e 10 muaj e 25 ditë burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, ”Grabitja” dhe ”Armëmbajtja pa leje”.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Fast Albania, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, finalizuan me sukses operacionin policor “Linza”, në kuadër të të cilit, në Linzë, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë i shtetasit Selman Balla, 56 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Pistojës/ Itali e ka dënuar me 11 vite e 10 muaj e 25 ditë burgim, për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, ”Grabitja” dhe ”Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka hyrë në banesën e një shtetasi italian dhe nën kërcënimin e një arme dhe një thike ka vjedhur në këtë banesë një shumë të madhe parash dhe sendesh me vlerë dhe më pas janë larguar me një veturë të vjedhur.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.