Një 40-vjeçarë është ekstraduar nga SHBA-ja nën akuzat e plagosjes së prindërve të ish-bashkëshortes, ngjarje e ndodhur në mars 2017 në Ballsh.
Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Washington, USA, në koordinim nga DSS në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, u bë e mundur kapja në SHBA dhe ekstradimi drejt Shqipërisë, i një shtetasi të dënuar me 25 vjet burgim.
Në vijim të bashkëpunimit me homologët, nga specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga New York, USA, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Lulëzim Sinaj, 40 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në vitin 2021, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.