Njoftimi i policisë:
I dënuar me 5 vjet burgim, pasi në vitin 2020, nxiti një shtetase për të përdorur lëndë narkotike, si dhe sepse shiti në bashkëpunim me të tjerë, sasi të këtyre lëndëve, kapet në Krujë 29-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, të mbështetura nga inteligjenca informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, të dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin Arbis Shima, 29 vjeç, banues në Krujë.
29-vjeçari është dënuar me 5 vjet burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”, pasi në vitin 2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka nxitur një shtetase, për të përdorur lëndë narkotike, si dhe ka qenë i implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Shtetasi Arbis Shima iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.