Sokol Bode, i ështe drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë, ku kërkon prishjen e vendimit te Apelit të Posaçëm që e dënoi me 8 vite burg, ish shefin e stacionit policor të Dhërmiut. Kërkesa e tij për prishje të vendimit do shqyrtohet nga anëtari i Gjykatës së Lartë Ilir Panda. Në janar të këtij viti bode u dënua me 8 vite heqje lirie, me vendim të formës së prerë, ndersa beteja e tij tashmë do vijojë në shkallën më të lartë të gjyqësorit. Ai akuzohet për trafik narkotikësh, i implikuar në organizatën kriminale të drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj.
Sokol Bode u arrestua në gusht të vitit 2022 pas 5 viteve në arrati.
Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor të 2019-ës. Habilajt u kapën nga policia Italiane teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.
Për favorizim të kërtij grupi përfundoi në burg dhe ish-ministri Tahiri, pasi u dënua me vendim të formës së prerë për “shpërdorim detyre” me 3.4 vite burg.
Bashkë me Tahirin nga SPAK u ngritën akuza edhe për punonjësin e policisë Gjergji Kohila dhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ky i fundit i dënuar për shpërdorim detyre së bashku me Tahirin.
Pak javë më parë ish-Ministrit Tahiri iu ndryshua masa duke kaluar në “arrest shtëpie”, për shkak të problemeve shëndetësore të bashkëshortes.