I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 20 tetor është takuar me zyrtarë serbë në Beograd dhe në takim është diskutuar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Escobar diskutuan për “ngjarjet aktuale në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, mundësitë për vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Serbisë.
Në takim, Escobar shprehu pritjen që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës “për të gjitha çështjet e hapura dhe normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve do të vazhdojë në mënyrë dinamike dhe konstruktive, gjë që është e rëndësishme si për qytetarët ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe progresin e përgjithshëm të rajon, me përfundim të shpejtë të negociatave”, shkruhet në komunikatën e Presidencës së Serbisë.
Vuçiq ka shkruar në rrjetin social Instagram se ka pasur një “bisedë të rëndësishme me Escobarin për të gjitha ngjarjet aktuale dhe çështjet e hapura në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe të së drejtës ndërkombëtare. .”
Sipas njoftimit, Vuçiq po ashtu ka thënë se Serbia është e përkushtuar për vazhdimin e procesit të dialogut dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia, si një vend serioz, i besueshëm dhe i përgjegjshëm, vazhdon të luftojë për ruajtjen e popullit dhe vendit të saj, duke bërë përpjekje maksimale për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
“Serbia insiston në zbatimin e marrëveshjes me Kosovën”
Escobar është takuar edhe me Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.
Petkoviq tha se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e negociatave, por edhe insiston në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, para së gjithash marrëveshjes për formimin e Unionit të Komunave Serbe, thuhet në njoftimin e asaj Zyre.