Petrit Sulaj, ish-drejtori i Aviacionit Civil i cili u shoqërua të enjten pasi numri i tij i celularit doli tek bisedat telefonike të kontrollorëve ajrorë që u shoqëruan, mësohet se është liruar pas gjashtë orësh qëndrimi në Komisariat.
Në rajonin e policisë ai është shprehur se nuk është për ndërprerje të punës, por për dialog mes palëve. Kreu i Sindikatës, Armando Fezga, përgjegjësja e turnit, Flora Ndreca dhe Muhin Mezini janë vënë në pranga, pasi akuzohen se janë organizatorë të kësaj proteste.
Ndërsa mbi 20 të tjerë janë shoqëruar në polici gjatë natës për t’u marrë në pyetje, dhe më pas janë lënë të lirë. Paraditen e sotme është rikthyer normaliteti në Aeroportin e Rinasit, pas krizës së 48 orëve të fundit.
Në orën 09:00 kanë nisur edhe fluturimet e pasagjerëve, ndërsa një ditë më parë filluan udhëtimet e domosdoshme siç janë ato humanitare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake.