I ‘flaku’ mikrofonin Klotilda Bushkës, reagon Gazment Bardhi: Ja si qëndron e vërteta!

Një ditë pas incidentit në Komisionin e Ligjeve, ku Gazment Bardhi i ‘flaku’ mikrofonin Klotilda Bushkës, deputeti demokrat ka reaguar duke thënë se iu hoq e drejta e fjalës.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, krahas videos të postuar nga ky moment, Bardhi shkruan se afera e Portit të Durrësit nuk mund të mbulohet as me heqje fjalë dhe as me masa disiplinore që mund të merren ndaj tij.

Më tej, ai ka akuzuar kryeministrin Rama se bashkë me njerëzit e tij po synon të pastrojë 2.1 mld euro në projektin e Portit të Durrësit.

“Vullnetarët e Edvinit paskan kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj meje se paskam reaguar pse opozitës i hiqet e drejta kushtetuese për të folur në Komision ndaj aferës korruptive të Portit të Durrësit.

Çdo deputet ka të drejtën të diskutojë për një projektligj dhe mohimi i kësaj të drejte është shkelje flagrante e Rregullores! Vetëm në regjimin korruptiv të Edi Ramës ndodh që deputetëve tu mohohet e drejta e fjalës dhe më pas ato të mbajnë përgjegjësi pse reagojnë ndaj shkeljes së Rregullores.

2.1 miliard euro të korrupsionit qeveritar që Edi Rama dhe vullnetarët e tij synojnë të pastrojnë në projektin e portit të Durrësit nuk fshihen dot as me masa disiplinore dhe as me heqjen e të drejtës së fjalës në Komision. Faktet e kësaj afere korruptive kanë dalë e do dalin në dritë çdo ditë. Përgjegjësia për këtë nuk është disiplinore, por penale! Faktet nuk i fsheh dhe nuk i manipulon dot as një Olsi për llogari të një Olsi, siç u bë me dosjen “Xibraka”!”, shkruan Bardhi.

Miratimi i raportit për projektin e Portit të Durrësit/ Plas keq te “Ligjet”, Bardhi i ‘flak’ mikrofonin Bushkës


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *