Kryeministri Edi Rama, në një konferencë shtypi nga Italia ka thënë se fati i Shqipërisë në BE është i lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut.
Ai ka nënvizuar se Shqipëria ende nuk ka një datë për mbajtjen e mbledhjes së parë Ndërqeveritare, por ajo që duhet të bëjë është që të jetë në lartësinë e duhur.
“Integrimi Evropian i Shqipërisë, nuk është diçka që na e kanë detyruar apo kërkuar, është diçka që është pjesë e borxhit që ne i kemi brezave të rinj. Është pjesë e fatit të Shqipërisë, ka qenë ëndrra e të gjithëve ne, që gjithnjë kanë synuar bregun tjetër të detit. Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që po bëjmë. Italia është një partner i pa zëvendësueshëm për të gjithë ndihmën që na ka dhënë. Ashtu si vendet e tjera partnere, mike, më pas pak durim. Zgjerimi është fati i BE, nëse BE, dëshiron të përmbyllë projektin e etërve themelues”, tha Rama.
Më tej, kryeministri shtoi se veto e vendosur nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut është një dëm kolateral për Shqipërinë. Sipas tij, Holanda dhe Franca po punojnë për ta hequr.
“Mes Shqipërisë dhe BE nuk varet as nga Shqipëria dhe as Maqedonisë së Veriut. Ka një veto në këtë rast, Shqipëria është dëmi më kolateral. Për ne nuk është e rëndësishme të kemi apo jo një datë, por e rëndësishme është që të jemi në lartësinë e duhur dhe BE të mbajë fjalën sepse ne prej dy vitesh duhet ta kishim filluar këtë proces. Nëse kjo nuk ndodh, i përket BE të marrë përsipër përgjegjësinë. Ne kemi bërë detyrat tona jo për BE, por për veten tonë. Çdo çast ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë. Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonisë së Veriut është e vështirë. Do të presim presidentin e ri bullgar, do të shohim se çfarë qëndrimi do të mbajë shteti bullgar dhe do të shohim se deri ku do të arrijë efekti i të gjitha presioneve që është bërë në nivele të ndryshme. Është dhe Franca dhe Holanda që po shtyjnë Bullgarinë që ta heqi veton e saj”, përfundoi Rama.
/Priza.al/