Deputeti i Partisë Demokratiek Oerd Bylykbashi ka deklaruar ditën e sotme se Partia Socialiste po i heq pushtetin Parlamentit. Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Bylykbashki ka theksuar refuzimin nga mazhoranca të dy komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita si dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk ka kontroll më të lartë për procesin e integrimit se pushteti i parlamentit për të ushtruar kontroll mbi qeverinë, mbi zullumet e qeverisë dhe instrument më të fortë sesa komisionet hetimore nuk ka në këtë parlament, se në fund të fundit, ligjet i miratoni vetë, shumicën e keni vetë dhe bëni ligjet që doni.
Janë dy komisione hetimore që ju refuzoni t’i ngrini përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk pyesni fare për këtë pjesë dhe ne me këtë ligjin do të kompensokemi instrumentin kushtetues të kontrollit parlamentar nëpërmjet komisioneve hetimore?! Të gjithë e dimë që është bosh e gjithë kjo. Kemi vendim të Gjykatës Kushtetuese, ia kërkuam Gjykatës Kushtetuese, merr dhe zbato misionin e vetëm të drejtpërdrejtë që ka Kushtetua mbi deputetë, që është heqja e mandatit kur janë në konflikt interesi. E gjetur në minorancë, Gjykata Kushtetuese nën presion tuaj vendosi të bënte një ping-pong, kur mund ta shqyrtonte aty për aty. Jo më larg se dje morët dhe e futët çështjen në kalendat greke. Po flas dhe njëherë, është sanksioni i vetëm i drejtpërdrejtë i Kushtetutës mbi një deputet, nuk ka tjetër. Të tjerat janë me ligje të tjera. Edhe atë e merrni e tresni e holloni derisa të harrohet dhe ju flisni për kontrollin e parlamentit mbi qeverinë dhe procesin e integrimit që bën qeveria dhe do ta kontrollojë ky ligj,“ tha Bylykbashi.