Dy persona janë arrestuar në Korçë, pasi u kapën duke transportuar 8 emigrantë të paligjshëm.
Shtetasit me iniciale G. K., 22 vjeç dhe S. K., 22 vjeçe akuzohen për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor “Perimetri 185”.
U kapën duke transportuar 8 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, vihen në pranga 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e komisariateve të Policisë Korçë dhe Maliq, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. K., 22 vjeç, banues në Durrës dhe S. K., 22 vjeçe, banuese në Roskovec, Fier.
Shërbimet e Policisë kanë kapur shtetasin G. K., në aksin rrugor Maliq-Lozhan, duke transportuar me mjetin tip “Range Rover”, në bashkëpunim me shtetasen S. K., 8 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.