Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një 32-vjeçar ka vrarë një shtetas nigerian.
Ngjarja ka shokuar mbarë botën, pasi është filmuar nga shikues në rrugë të cilët nuk kanë ndërhyrë për të shpëtuar viktimën.
Filippo Claudio Giuseppe Ferlazzo, banor i qytezës buzë Adriatikut, i mori jetën 39-vjeçarit nigerian, që punonte si shitës ambulant, Alika Ogorchukëu.
Sipas mediave të huaja vrasja brutale e Alikas u filmua nga shikuesit, të cilët nuk bënë asnjë përpjekje për të ndërhyrë fizikisht.
Policia përdori kamerat e rrugëve për të gjurmuar lëvizjet e Ferlazzo-s dhe e arrestoi atë të shtunën me akuzën për vrasje, ndërsa gjithashtu dyshohet se kishte vjedhur telefonin celular të viktimës.
Mediat vendase kanë raportuar se Ferlazzo aktualisht po mbahet në burgun Montacuto në Ankona, por mbi të pritet të mos rëndojë akuza për racizëm.
Videoja tronditëse e sulmit ka qarkulluar gjerësisht në mediat sociale, duke shkaktuar zemërim teksa Italia hyn në një fushatë zgjedhore parlamentare, në të cilën koalicioni i krahut të djathtë tashmë e ka bërë problem emigracionin.
Pamjet tregojnë Ferlazzon duke u përleshur me viktimën, i cili gjendet i shtrirë me shpinë në trotuar.
Alika po shiste mallra kur vrasësi i tij i rrëmbeu patericën dhe e goditi më shumë se 5 herë në kokë, pasi më parë emigranti nigerian i kishte komplimentuar të dashurën e tij nga Moldavia.
Gjatë një proteste në vendin e vrasjes të shtunën, gruaja e Alikës, Charity Oriachi, tha: “Tani dua vetëm drejtësi për burrin tim”.
“Vrasja e Alika Ogorchukëu na lë të zhgënjyer. Egërsi e paparë. Indiferencë e përhapur. Nuk mund të ketë justifikim”, shkroi në Twitter, lideri i Partisë Demokratike, Enrico Letta.
Edhe Matteo Salvini, i cili po e bën sigurinë dhe emigracionin temë kryesore të fushatës së tij, shprehu gjithashtu zemërim për vdekjen, duke thënë se “siguria nuk ka ngjyrë dhe duhet të kthehet në një të drejtë”.
“Agresori ka shkuar pas viktimës duke e goditur fillimisht me paterica. Ai e bëri atë të binte përtokë, më pas ai mbaroi, duke i shkaktuar vdekjen nëpërmjet goditjeve të vazhdueshme me gurshta”, tha hetuesi i policisë Matteo Luconi në një konferencë për shtyp.