Policia e Sarandës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Sarandë ku një 14-vjeçar ka kanosur me një pistoletë lodër shokët e klasës dhe mësuesit.
Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga kjo ngjarje që ka bërë që të gjithë nxënësit të braktisin mësimin dhe të protestojnë bashkë me prindërit, policia ka sqaruar se arma që panikosi shkollën “Adem Sheme” në Sarandë, ishte lodër.
Njoftimi i policisë Sarandë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurorinë e Sarandës, për një shtetas të mitur 14 vjeç, banues në Sarandë, pasi kanë bërë kallëzim disa bashkëmoshatarë të tij, se në shkollën ku studiojnë së bashku, në Sarandë, 14-vjeçari i ka kanosur ata, me një objekt plastik (pistoletë lodër).
Materialet iu referuan Prokurorisë, për vlerësim, në bazë të Udhëzimit të Përgjithshëm nr.15, datë 30.10.2020, të Prokurorit të Përgjithshëm.
Kujtojmë se ditën e djeshme nxënësit bojkotuan mësimin në shkollën “Adem Sheme” në Sarandë pasi një prej tyre, 14 vjeç ka shkuar në klasën e 6 e duke kërcënuar nxënësit dhe mësuesen me armë.
Ky nuk ka qenë rasti i parë që fëmijët e kësaj shkolle kanë frike të hyjnë në mësim për shkak të kërcënimit dhe bullizmit. Por vetëm mengjesin e djeshëm, prindërit i janë drejtuar komisariat të policisë për të gjetur zgjidhje. Bojkotit të mësimit nga fëmijët i janë bashkuar edhe disa mësues.
Prindërit u shprehën gjatë protestës se nuk do t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë pa patur siguri.