Prokuroria ka dërguar këtë të martë në gjyq shtetasin, Fehat Marrën i cili dyshohet se ka mbytur fqinjën e tij.
58-vjeçari akuzohet se vrau shtetasin Fatime Suli, 63-vjeçaren në fshatin Kozare të qytetit të Kuçovës, pasi dyshohet se e mbyti, zhveshi dhe hodhi në një kanal.
Kujtojmë se autori i vrasjes së Fatime Sulit deklaroi në polici se viktima i kishte atij 60 mijë lekë (të vjetra) borxh, si rezultat i mbarështimit të bagëtive.
“Fatimeja më kishte 60 000 mijë lekë (të vjetra) nga mbarështimi i tufës së saj dhe unë shkova për t’ja kërkuar. Kur shkova atje e pashë shumë afër duke biseduar me një bari tjetër, Izetin, dhe u largova. U ktheva përsëri 1-orë më vonë, isha i pirë dhe pasi e pashë vetëm iu afrova dhe i kërkova lekët. Ajo filloi të bërtiste e të më gjuante me gurë dhe unë e kapa nga prapa në fyt dhe e shtrëngova. Pas disa sekondash ajo ra në tokë pa ndjenja. E shkunda disa herë dhe kur e pashë që nuk po merrte frymë e kuptova që kishte vdekur. Nga frika se mos me zbulonin, e tërhoqa zvarrë disa metra për ta hedhur në një kanal në afërsi të serave të saj dhe e mbulova mirë me gjethe e rrozga, duke shpresuar që do ta gjenin me vonesë dhe nuk do më fajësonin mua. U largova me vrap mes për mes tokave dhe shkova në shtëpi, kur më doli pija dhe po kujtohesha as vetë nuk e besova që e gjithë kjo kishte ndodhur me të vërtetë deri në momentin që erdhi policia dhe më morën me furgon”, shprehej ai.
Fatime Suli është mbytur me duar nga fqinji i saj mbrëmjen e 20 janarit. Trupi i gruas u gjet i hedhur në një kanal gjysmë i zhveshur dhe i mbuluar me gjethe. Kamerat e sigurisë zbuluan që autori i krimit ishte pikërisht Marra, i cili është lënë pas hekurave.