Personi i akuzuar për një sulm vdekjeprurës kundër komunitetit kurd në Paris ka pranuar një urrejtje “patologjike” ndaj emigrantëve, thonë prokurorët francezë.
69-vjeçari u tha hetuesve se ai kishte planifikuar të vriste “të huajt joevropianë”.
I dyshuari është dërguar në kujdesin psikiatrik pasi është marrë në pyetje nga policia. Ai akuzohet se hapi zjarr në një qendër kulturore kurde, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur tre të tjerë.
Burri, shofer treni në pension i quajtur William M., i tha policisë se ishte bërë “depresiv” pasi shtëpia e tij u grabit në vitin 2016, tha zyra e prokurorit të Parisit të dielën.
Ai pranoi se që atëherë, urrejtja e tij ndaj të huajve ishte “bërë krejtësisht patologjike”, thuhet më tej në deklaratë.
Aty thuhet se të premten ai fillimisht shkoi në Saint-Denis, një periferi me emigracion të lartë në Parisin verior, me qëllim që të vriste “jo-evropianë” – por gjeti pak njerëz atje.
Më pas ai udhëtoi për në qendrën kurde Ahmet-Kaya në lagjen e 10-të të Parisit, ku edhe kreu sulmin.