Efektivi i Lushnjës, që dhunoi pak ditë më parë tregtarin Amarildo Hoxha, është pezulluar nga puna.
SHÇBA ka bërë me dije ditën e sotme që është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Lushnjes për pezullimin e inspektorit me inicialet B.Sh dhe ka vendosur masën detyrim paraqitje. Inspektori ka dhunuar tregtarin Hoxha në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës” në Lushnje.
Njoftimi i SHÇBA:
Lushnje – Pezullohet punonjësi i Policisë për veprime arbitrare. SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, më datë 28.10.2021 ka ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë në Komisariatin e Policisë Lushnje, Inspektor B.SH. Hetimi në bashkëpunim të ngushtë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, pas ankesës së shtetasit A.H., i cili ka deklaruar se është dhunuar nga punonjës policie në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës”, Lushnje. Hetimet po vijojnë. SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
Tregtari Amarildo Hoxha ka bërë një kallzim penal për Inspektorin pak ditë më parë, pasi ky i fundit e ka dhunuar atë barbarisht. Ngjarja ka ndodhur në autostradën Berat-Lushnje, ku sipas Hoxhës, efektivët i kërkuan atij ryshfet, ndërsa në njoftimin e policisë thuhet se Hoxha kishte rrezikuar jetën e një efektivi policie.
/Priza.al/