Në një kohë kur e gjithë vëmendja e qeverisë është përqendruar te vendimi i fundit për rritjen e pagave për disa sektorë, kryeministri Edi Rama solli sot një shembull konkret të rritjes së rrogave të arsimtarëve.
Rama solli në vëmendje rastin e Adem Toskës, mësues në arsimin e Mesëm të Lartë, paga e të cilit në maj 2023 shkon 76 160 lekë, ndërsa në vitin 2024 shkon 103 200 lekë.
“Pagat e reja falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900 eurove në 2024, janë fryt i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “mbi të gjitha pagat e reja, janë fryt i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”.