I refuzuan ftesën për darkë, Rama për përfaqësuesit e KiE: Fjalimi im u ra si rrufe në qiell të hapur!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi disa përfaqësues të KiE refuzuan që të merrnin pjesë në darkën e organizuar nga Shqipëria në Strasburg.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama shkruan se ata e kishin refuzuar darkën pas fjalimit të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, në lidhje me rishikimin e raportit të Dick Marty. Ndërkohë kryeministri shton se nuk ke si ndjehesh mirë kur dëgjon histori horrori dhe sajesash për trafik organesh.

Më tej ai u është përgjigjur edhe deklaratave të bëra nga përfaqësuesit e opozitës në Shqipëri, duke theksuar se e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra.

“Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve!

Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri.

Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra”, shkruan Rama.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *