Ditën që zilja e derës bëri zhurmë 76 vjeçarja F.G , e cila jeton në afërsi të bllokut, pa nga syri magjik se personin matanë derës nuk e njihte aspak.
E moshuara njoftoi bashkëshortin që po qëndronte në kuzhinë për mikun e panjohur dhe mbasi diskutuan pak çaste vendosën ta hapin derën.
“Personi ishte i moshës 40 – 45 vjeç, me sy bojëqielli. Tha që ishte T. dhe shkurt e shkoqur tha: djali juaj më detyrohet 30 mijë euro, i dua sot paratë”
Dy të moshuarit që më vonë përfunduan në polici e cila nga ana e saj ka nisur hetimet për gjobëvënie, kanë shtangur dhe të çuditur kanë kërkuar shpjegime
“ Di të flas edhe ndryshe, borxhet janë borxhe. Keni afat deri nesër” – ka deklaruar i panjohuri, i cili sipas të moshuarve ishte i veshur shtrenjtë dhe pa hezituar ka bërë prapakthehu dhe është larguar nga pragu i derës.
Sipas burimeve policore të moshuarit kanë mbyllur derën të tmerruar.
Ata i thonë policisë se jetojnë vetëm prej kohësh dhe se djali i tyre ishte larguar jashtë Shqipërisë në fillim të 2021 dhe nuk kanë asnjë pikë kontakti dhe mundësi komunikimi me të. Fëmijën tjetër po ashtu e kanë emigrant në një vend tjetër të Evropës.
“Nuk patëm asnjë mundësi të flasim me djalin A.G. , mbasi ai i ndërron numrat shpesh dhe na telefonon vetëm ai. Nuk dinim ç’të bënim ndaj vendosëm që mos t’i tregonim askujt, as policisë” shton i moshuari në denoncimin e tij
Por dy ditë më vonë, dy të moshuarve u ka dalë përsëri në rrugë i panjohuri.
Menjëherë mbasi ai u ka ndërprerë rrugën dhe i ka pyetur nëse i gjetën apo jo 30 mijë eurot kanë tentuar shpjegime dhe arsyet se përse duhet t’ia jepnin ata paratë. Në rast se ishte ashtu si ai pretendonte, pra në rast se i biri u kishte borxh.
“ Mua është prishur shtëpia…- ka thënë i panjohuri dhe djali juaj më ka borxhin dhe ka humbur çdo kontakt. Kështu që do i paguani ju”.
Edhe me urdhrin e dytë të moshuarit kanë vendosur të heshtin dhe ta lënë të kalojë pa u vënë re. Të tretën herë, kupa është mbushur.
“Ky djalë po na priste në derë të shtëpisë, kërkoi 30 mijë euro. Ne i thamë s’dimë çfarë ka bërë djali dhe nuk të njohim dhe jemi dy pleq. Ai u nxeh dhe kërkoi të hyjë brenda, kërkoi që në mungesë të parave ti jepnim tapinë e shtëpisë derisa të siguronim paratë”, – rrëfen në polici gruaja.
Menjëherë mbas këtij momenti , pasi ja kanë dalë të mbyllin derën ata janë konsultuar dhe kanë vendosur të telefonojnë policinë.
Frika e tyre më e madhe ishte përplasja me të riun e panjohur që nuk u ndahej…
Policia thotë se ky është një rast gjobëvënie mbasi nga veprimet e para është bindur që djali i dy të moshuarve s’ka pasur konflikte dhe as incidente në Tiranë.
“Kemi administruar numrat e telefonit të të riut dhe presim të kontaktojmë me të” – pohoi një zyrtar policie i cili ka urdhëruar sekuestrimin e çdo kamere në zonë për të kryer identifikimin e të panjohurit që ka paralajmëruar se do t’i dëmtojë dy të moshuarit.
/Burimi:Gazeta SI/