Një 46-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi rezultonte në kërkim për lëndë narkotike.
Shtetasi me iniciale F.K., akuzohet për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, të kryera në bashkëpunim.
Uniformat blu kanë sekuestruar 262 kg kanabis dhe fidanë narkotikë të kultivuar në banesë.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Çairet”.
Lokalizohet dhe vihet në pranga i kërkuari për prodhimin në bashkëpunim, të 262 kg kanabis që iu gjetën në banesë. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, të DVP Vlorë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, të DVP Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Çairet”, organizuan punën për kapjen e tij.
Në vijim të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit:
-F. K., 46 vjeç, banues në Kaninë, Vlorë, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, të kryera në bashkëpunim.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, së bashku me shtetasit E. K., 22 vjeç dhe K. K., 21 vjeç. 21-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua më 12 prill të këtij viti. Në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit të vënë në pranga sot, F. K. si dhe në një ambient pranë saj, të përshtatur si serë, me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, u gjetën dhe u sekuestruan gjithsej 262 kg kanabis dhe fidanë narkotikë të kultivuar.
Vijon puna për kapjen e shtetasit E. K, të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.