I shpallur në kërkim ndërkombëtar, kush është 37-vjeçari nga Lezha që u prangos nga policia

Një 37- vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe organizatë kriminale është arrestuar nga Policia e Lezhës. Ai ishte dënuar me 7 vite burg nga drejtësia italiane. Në kuadër të operacionit Sergate, në pranga përfundoi Bledar Delia( Dushkaj). Gjithashtu, Policia gjeti dhe sekuestroi në banesë fishekë dhe 2 radio, të njëjta me ato të uniformave blu.

NJOFTIMI I PLOTË:
Lezhë

Finalizohet nga Policia e Lezhës, operacioni policor i koduar “Sergate”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Vihet në pranga një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga autoritetet italiane me 7 vite burgim, për vepren penale “Organizate kriminale” dhe ” Trafikim i lëndëve narkotike”.

Arrestimi provizor i tij u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Komisariati ti Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Lezhë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit: Bledar Delia( Dushkaj), 37 vjeç, banues në Balldre, Lezhë.

Ky shtetas ishte shpallur ne kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Milanos/ Itali e ka dënuar me 7 vite burg për veprën penale “Organizatë kriminale ” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar nga Kodi Penal italian. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan fishekë luftarak, si dhe 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *