Një 49-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje.
Uniformat blu raportojnë se është arrestuar shtetasi me inicialet I. A., i cili akuzohet për veprat penale ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘prishje të qetësisë publike’.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “The night”.
I shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë publike, kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “The night”.
Në kuadër të këtij operacioni, në rrugën “Reshit Petrela”, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit I. A., 49 vjeç, banues në Tiranë.
49-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Më datë 11.07.2022, shtetasi I. A. dyshohet se ka prishur rendin dhe qetësinë publike, në Rrugën e Dibrës, duke qëlluar në ajër, me një armë zjarri që e mbante pa leje.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.