Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama tregoi hapur se është një nga patronazhistët. Ai tha publikisht para kryebashkiakëve të tjerë se në zgjedhjet e ardhshme lokale PS do të marrë 4 500 vota dhe jo 3 500 vota.
Kryebashkiaku i Skraparit solli në vëmendje kështu një aspekt të punës së patronazhistëve, që dolën në pah pas skandalit me listat e të dhënave të qytetarëve. Ai tha se kjo gjë do të realizohet duke evidentuar të gjithë njerëzit me influencë nëpër lagje dhe fshatra dhe më pas i kontaktonin duke i ofruar lehtësira të ndryshme me qëllim marrjen e votës.
“Dua të kaloj tani në aspektin politik. PS ka fituar rreth 3 500 vota në zgjedhjet e kaluara. Më shumë duhej të ishin duke marrë në konsideratë një numër të madh votash të pavlefshme që në shumicën dërrmuese të tyre synonin PS. Ne synojmë që të marrim mbi 4 500 vota dhe për këtë kemi nisur punën që tani. Janë evidentuar në çdo fshat njerëz që kanë influencë dhe reputacion. Njerëzit kanë nevojë të komunikosh me ta…”, tha Mema.
Kaq mjaftoi që Rama t’i ndërpriste fjalën, duke i komunikuar se koha e tij prej 6 minutash kishte mbaruar.