Marrëzia dhe çmenduari a që ka mbërthyer Shqipërinë, po prodhon kohët e fundit skandale dhe krime nga më të çuditshmit.
Diana Vukaj, ishte një grua zonjë që çdo vit kthehej në vendlindjen e saj, Shkodër, për të parë të afërmit dhe për të ndihmuar edhe vëllanë që degradonte në pije e sipër.
Ajo u kthye si nga hera në vendlindjen edhe këtë qershor, por kësaj here ishte e fundit për të, madje ajo as nuk do të shkojë më kurrë në Gjermani ku kishte ngritur jetën e saj.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen “3 dëshmorët” në Shkodër, mbrëmjen e kaluar, pasi vëllai ka vrarë të motrën me armë zjarri. Fabian Vuka, i njohur si një person i alkoolizuar, ka qëlluar për vdekje të motrën dhe e ka mbajtur atë për tre ditë në shtëpinë e tij.
Si nisi konflikti
Mësohet se sherri mes Fabianit dhe motrës, Dianës, kishte nisur për një porosi që kjo e fundit kishte bërë në një mobiljeri për orendi të reja shtëpiake.
Viktima kishte një javë që kishte ardhur nga Gjermania për pushime në Shkodër dhe kishte bërë afro 4 mijë euro porosi, orendi shtëpiake, për banesën në Velipojë e për shtëpinë ku jetonte i vëllai që e vrau.
Por, i vëllai nuk ka qenë dakord për këtë porosi dhe vetëm pak ditë më parë, më 5 qershor, ka telefonuar kompaninë ku motra e tij kishte bërë porosinë e mobiljeve dhe i ka ofenduar.
Më pas sherri mes motrës dhe vëllait duket se ka degraduar duke bërë që Vuka të merrte armën dhe të qëllonte të motrën për vdekje. Pas krimit, ai ka marrë sërish kompaninë e mobileje duke u thënë: A doni me fol me motrën time, nuk keni ku ta merrni, s’keni shans të flisni më me të!
Si u zbulua krimi
Në dy ditët në vijim, nën efektin e alkoolit shtetasi Fabian Vukaj, dilte nëpër lagje duke i thënë të tjerëve se: “Kam vrarë motrën, e kam në shtëpi të vdekur!”
Por nisur nga gjendja e tij e alkoolizuar, askush nuk e ka marrë seriozisht, por një ditë më vonë, mikesha e viktimës bashkë me fqinjët kishin nisur të shqetësoheshin.
Ata lajmëruan policinë që gjeti trupin e pajetë të gruas në banesë dhe vuri në pranga të vëllanë. Ky i fundit u gjet i rrethuar nga shishe të shumta me alkool, që i ka konsumuar gjatë kohës që ka pasur trupin e të motrës në banesë.
Kjo nuk ishte hera e parë që Diana Vukës i rrezikohej jeta. Mësohet se në nëntor të vitit të kaluar, Diana kishte kërkuar ndihmë nga mikesha e saj, të cilën e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë se, i vëllai kishte në plan ta vrasë.
“Eja se ka në plan të më vrasë”,- ka thënë Vukaj. Edhe tre vite më parë, Diana Vukaj është dhunuar nga i vëllai dhe është dërguar në spital. Ajo ka bërë kallëzim në polici por më pas e ka tërhequr atë.
Shoqja e Diana Vukës, Rajmonda Sokoli, ka treguar se, viktima i dërgonte të vëllait 300 euro në muaj për ta ndihmuar, ndërsa ka shtuar se ajo ishte një njeri shumë i mirë. Tashmë Fabian Vukaj është vënë në pranga dhe pritet të përballet me akuzën e rëndë të vrasjes.
/Priza.al/