Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi ditën e djeshme rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Gjatë kohës kur janë publikuar votat e shteteve që votuan për rezolutën, pamjet e presidentit serb Aleksandër Vuçiç janë bërë virale në rrjetin social “X”.
“Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë, anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha në hapje të debatit ambasadorja e Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse, vendi i së cilës e bashkëhartoi tekstin e rezolutës.
Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.
Rezoluta, ndër të tjera, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.
Në Srebrenicë – pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës – forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në korrik të vitit 1995.
Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007.