Kishte kryer një vrasje në Turqi dhe qëndronte në Shqipëri, arrestohet nga autoritetet shqiptare, bëhet me dije se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Policia njofton se sot është finalizuar operacioni policor i koduar “Taksim”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Interpol Tirana.
Gjatë këtij operacioni arrestohet në flagrancë 1 shtetas që theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Ndërkohë rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Taksim”, në bashkëpunim me Interpol Tirana, bënë kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimi drejt Turqisë, të shtetasit: U. C., 41 vjeç, banues në Tiranë, me shtetësi turke, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Gjatë verifikimeve të mëtejshme ka rezultuar se më datë 08.03.2022, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi zyra e Kryeprokurorit Turqi/Stamboll, ka lëshuar urdhër arrestin për këtë shtetas, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim”, bën të ditur policia.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit U. C, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese turke, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.