Edhe në ditën e ‘heshtjes zgjedhore’ nuk kanë munguar rastet e dhunës. Tensionet vijojnë të jenë prezente, ndërsa nuk kanë munguar rastet kur janë denoncuar listat e zgjedhësve por edhe rastet kur është ushtruar dhunë.
Një simpatizante e PD-së në Divjakë, shtetasja Elsa Bita është dhunuar. Ajo ka dëshmuar se çdo gjë ndodhi pas një videoje live në “Facebook”, ku po filmonte një takim elektoral të PS-së.
Bita pretendon së është sulmuar nga shefi i komisariatit të policisë Divjakë, Altin Shehu. Ajo ka qenë duke filmuar shkeljen e heshtjes zgjedhore nga administrata e Divjakës, të cilët ishin mbledhur në një lokal.
“Thjesht po filmoja, ka zbarkuar administrata këtu thashë. Hyra LIVE në Facebook. Vjen një makinë, të tjerët më shajnë gjatë gjithë kohës. Shefi i Komisariatit më dhunoi, pse filmon më tha, më mori telefonin. Më kapi, më përplasi. Të tjerëve u thoshte e merrni e shoqëroni”, shprehet ajo.
Elsa ka mbërritur në Urgjencën e Spitalit të Lushnjes, për të marrë ndihmë mjekësore. Kandidati i PD në këtë zonë ka shkuar në spital, për të vizituar qytetaren e dhunuar. Ai ka kërkuar arrestimin e shefit të policisë.