I uli dy vite burg Arben Grorit pezullohet nga detyra, Taulant Taga gjyqtari i Elbasanit

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar për tre muaj nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Taulant Taga. Ky i fundit akuzohet se i ka ulur dy vite burg, të dënuarit Arben Grorit.

Në seancën e sotme të KLGJ u vendos të pranohet pjesërisht kërkesa e ILD e cila ka konstatuar shkelje gjatë kryerjes së detyrës me vendimin për të ulur me dy vite dënimin për të dënuarin Arben Grori.

KLGJ e ka pranuar pjesërisht kërkesën duke vendosur një masë të përkohshme pezullimi.

Njoftimi I KLGJ

Këshilli i Lartë Gjyqësor gjatë seancës së sotme dëgjimore ka pranuar pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit T.T., të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për shkelje disiplinore të kryera, në gjykimin e kërkesës me objekt ulje dënimi, për një të dënuar me burgim të përjetshëm.

Këshilli i Lartë Gjyqësor caktoi masën pezullim nga detyra për 3 muaj me të drejtën e përfitimit të pagës minimale për magjistratin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte kërkuar procedim me masën “ shkarkim nga detyra” ndaj gjyqtarit T.T.

 

Nga analiza ligjore e fakteve të mbledhura gjatë hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit T.T., Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte konkluduar në raportin hetimor, se nga ana e magjistratit janë konstatuar veprime/mosveprime të kryera në kundërshtim me ligjin “Për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar, të cilat kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë përfitimin e padrejtë të uljes së dënimit në masën 720 ditë për të dënuarin me burgim të përjetshëm (A.G.), si dhe cënimin e prestigjit të magjistratit në veçanti dhe cënimin e besimit të publikut te drejtësia.

 

Sipas hetimit të ILD-së, në dhënien e vendimit magjistrati nuk i është referuar fakteve në aktet e dosjes, por ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale ligjore. Në analizën e vendimmarrjes 4 vjecare të magjistratit (2017-2021), me objekt ulje dënimi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka konstatuar se ndryshe ka vepruar gjyqtari në dhënien e 155 vendimeve të tjera, ku në 7 kërkesa nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm” janë respektuar kriteret formale ligjore.

 

Në përfundim të hetimeve Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte konkluduar se veprimet/mosveprimet e magjistratit T.T., përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës dhe i kërkoi KLGJ-së caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, për magjistratin për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1, shkronjat “dh” dhe neni 102 pika 2 germat “b” , “c” të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *