Pandemia është drejt fundit? Ky në fakt do të ishte një lajm që do ta dëshironin ta dëgjonin sot në mbarë botën, por gjithsesi ka një lajm të mirë nga kjo “murtajë”.
Zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se amerikanët e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë të vendosin maskën në ambiente të jashtme, përveç nëse janë në turma të mëdha me të huaj.
Sipas tyre, edhe personat e pavaksinuar mund të dalin jashtë pa maska në disa raste. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë publikuar udhëzimet e reja të martën, me qëllim të kthimit në normalitet nga pandemia që ka lënë të vdekur mbi 570,000 persona në SHBA.
Në pjesën më të mirë të vitit të kaluar autoritetet amerikane kanë këshilluar qytetarët që të vendosin maskën nëse kanë njerëz afër. Ky ndryshim vjen teksa pjesa më e madhe e të rriturve amerikanë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, dhe më shumë se një e treta janë vaksinuar plotësisht.
“Ky është rikthimi i lirisë”,- ka thënë Mike Saag, ekspert për sëmundje infektuese në Universitetin e Alabamas në Birmingem, i cili ka mirëpritur këtë ndryshim.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve personat qofshin të vaksinuar apo jo, nuk kanë nevojë të vendosin maska kur dalin për të ecur apo vrapuar, vetëm apo me anëtarë të familjeve të tyre.
Ata mund të mos vendosin maskën edhe në organizime të vogla me persona të vaksinuar plotësisht.
/Priza.al/