Policia e Kavajës ka vënë në pranga një 30-vjeçar në Golem.
Burime për median bëjnë me dije se shtetasi me inicialet G. M., i ka vjedhur me dhunë varësen e floririt një gruaje dhe më pas është larguar.
Forcat blu bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit i cili akuzohet për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Kavajë, operacioni policor i koduar “Grab”.
I vodhi me dhunë varësen e floririt një shtetaseje, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, identifikohet dhe vihet në pranga 30-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas marrjes së njoftimit se ditën e sotme, rreth orës 13:30, në Golem, një person i kishte vjedhur me dhunë varësen një shtetaseje, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Grab”, për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, brenda pak minutave, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– G. M., 30 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Ky shtetas, mesditën e sotme, në Golem, i ka vjedhur me dhunë varësen një shtetaseje dhe më pas është larguar.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.