Shyqyri Haxha është shkencëtari, pedagogu dhe themeluesi “Microwave Photonics And Sensors Laboratory” në Britani. Ai është shqiptari i parë që merret me rrjetin 6G.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Haxha ka treguar të gjithë historinë e jetës së tij, që nga largimi nga Kosova, vrasjen e vëllait dëshmor Bahri Haxha, momentin kur mësoi lajmin e hidhur deri te suksesi në karrierë aktualisht.
“Unë kam kryer Universitetin e Hidroteknikës në Prishtinë. Largimi jonë ka qenë për gjatë organizimit të protestave në Kosovë. Familja ka qenë e rrezikuar, disa janë bastisur në 1993 nga forcat. Unë kam qenë në Londër duke studiuar për master, kur kam marrë vesh që më kishin vrarë vëllain në 1999. Ka qenë lajmi më tronditës në jetën time.
Ishte e pamundur të kthehesha. Ne kemi qënë në të njëjtën moshën, kur kemi qenë të vegjël, babai na thoshte bëhuni të fortë, keni kujdes. Edhe kur babai më dha lajmin nga Kukësi, tha ajo ju kam thënë që duhet të bëheni të fortë. Gjermania ishte destinacioni jonë i parë se menduam që do të shkojmë dhe të kthehemi, mirëpo, rrethanat u përkeqësuan më tutje. Kemi filluar nga zero çdo gjë, më është dashur të bëjë çdo gjë. Më është dashur të mbajë familjen, të bëjë kurse për gjuhën angleze si dhe kompjuter. Nga ora 6 e mëngjesit dhe 6 të darkës në punë, ndërsa pastaj deri në 9 bëja kurset. Kam bërë gjithçka. Pastaj kam filluar masterin”, tha ai.
Më tej, u ndal edhe laboratori që ka themeluar në Londër, që është i vetmi në Britaninë e Madhe.
“Ne kemi mundësinë që të punojmë me 6G dhe më tutje. Çdo vend që do të arrijë ta instalojë 6G do të ketë përparësi të veçantë, ekziston një qendër në Finlandë. Mirëpo, ne kemi mundësi edhe për më tutje.
Laboratori që ne kemi krijuar është i vetmi në këtë lloj në Britaninë e Madhe. Ekziston një në Australi, Kanada, SHBA, po këtu te ne është i vetmi. Ne kemi punuar shumë, nuk ka qenë e lehtë këtu në vendin ku unë jetoj. Angazhimi jonë i vazhdueshëm, edhe bashkëpunimi jonë me kolegë ka bërë që të kemi një rezultat të tillë”, u shpreh Haxha.