Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka reaguar për turizmin në Shqipëri duke shprehur optimizëm për sezonin veror.
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj tha se sektori i turizmit është zhvilluar ndjeshëm në vendin tonë, ndërsa theksoi se këtë sezon turistik janë rritur të ardhurat nga turizmi, me bizneset që kanë shënuar fitime.
Ibrahimaj theksoi se sektori i turizmit ka kontribuar këtë vit me 17.5% në PBB-në e vendit. Më tej ajo shtoi se këtë sezon turistik ka pasur rritje të qarkullimit me 30% në të gjitha qytetet.
“Kemi kaluar nga një sektor që kishte kontribut 3 deri në 5 % të PBB-së në një sektor që kontribuon në 17.5% të PBB. Kemi pasur rritje të qarkullimit me 30% në të gjitha qytetet në këtë sektor. Kemi pasur rritje të punësimit. Bizneset dhe kapacitete turistike janë rritur, kjo tregon një ecuri shumë pozitive. Turizmi është sektor strategjik, prandaj kemi investuar në rrugë, siç ka qenë rruga e Arbrit. Po ndërtohet aeroporti i Vlorës, tuneli i Llogarasë për të tërhequr më shumë njerëz dhe turistë në Shqipëri. Kemi përjashtuar nga tatimet hotelet që janë me 4 dhe 5 yje. Kemi reduktuar në 6% tvsh-në për hotelet. Jemi munduar të nxisim investimet në këtë sektor. Do ta mbështesim sektorin e turizmit. Pritet që ky sektor të rritet me 5.8% vit pas viti”, tha Ibrahimaj.