Është mbledhur ditën e sotme Konferenca e Kryetarëve ku po diskutohet projekt buxheti për vitin 2023.
Gjatë fjalës së saj në Konferencë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se vendi ka përballuar pozitivisht pasojat e luftës në Ukrainë dhe se rritja ekonomike është mbi parashikimet.
Më tej, Ibrahimaj u shpreh se pas një viti me norma të larta të inflacionit, parashikohet që në 2023-in do të ketë rritje ekonomike me 2.6%. Ajo theksoi se politika fiskale ka objektiv kryesor uljen e stokut të borxhit public dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike.
“Për vitin 2023, drafti që po prezantoj adreson sfida të rëndësishme. Politika fiskale do ketë objektiv uljen e stokut të borxhit publik dhe të rritet qëndrueshmëria ekonomike, jemi përballur deri më tani me rritje të madhe të inflacionit e megjithatë e kemi ndjeshëm më të ulët se vendet e rajonit. Morëm masa para se kriza të trokiste në derën tonë, zgjodhëm të subvenciononim çmimin e energjisë. Ne vendosëm një mburojë që na kushton shumë, duhen ruajtur parametrat kryesorë të ekonomisë, deri më tani kemi përballur mirë pasojat e luftës në Ukrainë. Ekonomia shqiptare ka pasur një rezistencë të mirë, rritja ekonomike në 6 muaj ishte 4.2%. Nga pikëpamja e ofertës agregate ka pasur rritje pozitive, papunësia ra dhe punësimi u rrit.
Është rritur eksporti dhe investimet e huaja, me 35%/. Kursi i këmbimit të lekut ka qenë mjaft i qëndrueshëm, është mbiçmuar ndaj euros me 4% ndryshe nga viti i kaluar. Do shohim si do shkojë 3 mujori i katërt, të shohim zhvillimet në arenën ndërkombëtare, mos të harrojmë se dhe ekonomitë e vendevë më të mëdha kanë pësur rënie. Ky është realiteti, ajo që është në dorën tonë është politika e kujdesshme. Parashikohet një rritje ekonimike me 2.6% për vitin 2023. Inflacioni mesatar 6.5-7% për vitin 2022. Ne si ministri financash besojmë se ka gjasa që inflacioni të ulet vitin e ardhshëm”, tha Ibrahimaj.