Video/ Identifikohet autori i zjarrvënies te ‘Sarajet’! Veliaj: Prona do ti kalojë Bashkisë dhe do kthehet në Muze Etnografik

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar për zjarrin që përfshiu mbrëmjen e kaluar monumentin e kulturës në qendër të kryeqytetit, e njohur si Sarajet.

Veliaj shkruan se zjarrvënia është e qëllimshme dhe se kamerat kanë filmuar autorin. Sipas tij, kanë qenë policët bashkiakë që kanë njoftuar sallën operative. Ai thotë se ka biseduar me kryeministrin Edi Rama, i cili ka autorizuar shpronësimin e përshpejtuar dhe se nga sot ka nisur regjimi 24 orë roje.

Veliaj tha se është identifikuar autori i zjarrvënies, duke folur për një skenar të ngjashëm me atë të shkollës “Kosova” e duke drejtuar gishtin e akuzës nga ndonjë pronar, por pa përmendur emra. Ai tha se fillimisht zjarri është përhapur në katin e parë dhe është vendosur nga dritaret e pasme, ku janë gjetur të thyera.

Ndërkohë ai përmendi ndër të tjera dhe emrin e ish-Presidentit Bujar Nishani, si një prej pronarëve dhe kërkoi reagimin e tij për këtë çështje. Gjithsesi Veliaj tha se skenari i shkollës “Kosova” dështoi dhe se Sarajet do të jenë në emër të bashkisë muajin tjetër.

“Jam informuar nga policia bashkiake rreth orës 12 pa 10, pak para mesnatës për një zjarr që ishte vendosur tek ndërtesa e Sarajeve që ndodhet ngjitur me godinën e bashkisë AMK. E njëjta patrullë që u konfliktua me Presidentin e vuri re sapo ra zjarri dhe lajmëroi zjarrfikësit që ishin aty për 2 minuta. Zjarri është vendosur nga dritaret e pasme, kemi gjetur 2 dritare të thyera. Fillimisht ka marrë zjarri në katin e parë, pastaj të dytin. Është parë në kamera dhe ekzekutori i urdhrit për djegien. E kam nuhatur që po shkohej drejt një skenari si ai i shkollës ‘Kosova’, ku palët donin të shkonin në gjykatë për të thënë që nuk kishte ndërtesë.
Sarajet në dallim nga teatri prej kallashi e kanë statusin. Të gjithë ata që kanë histeri, i ngatërrojnë gjërat me dashje. Sarajet hyn tek kjo kategori, tallashi i teatrit nuk e kishte statusin. Kemi vendosur roje 24 orë. Do jetë në rendin e ditës sapo të formohet qeveria e re Rama. Sapo kemi përfunduar procedurën finale. Akti i djeshëm ishte akti i fundit i një pale të pashpresë që ka përdorur dhe politikën dhe lobimet dhe shantazhin. Ajo ndërtesë nuk do digjet, nuk do transformohet në ndërtim, do kthehet në një muze të qytetit, do ketë statusin e një shtëpie muze. Çdo gjë tjetër është spekulim. E shuam zjarrin në kohë rekord, në kohë rekord e identifikuam zjarrvënësit, por do na duhet pak më shumë kohë për porositësit.
Mënyra si funksion legjislacioni shqiptar, për sa kohë ka një status të veçantë objekti toka nuk mund të konsiderohet truall për ndërtim. U tentua një strategji si ajo e shkollës Kosova, që e zmbrapsëm kur Edi Rama erdhi kryeministër”, tha Veliaj.

Ai foli për disa nga punët e bëra në Tiranë që janë provë sipas tij, e asaj që është bërë nga bashkia.

“Prova që ka dhënë bashkia e Tiranës, e mori Pazarin e Ri e transformoi në një ambient shumë të këndshëm dhe e ka transformuar në zonën më vitale të Tiranës. E dhamë provën me kalanë e Tiranës, të njëjtën gjë do bëjmë dhe me pjesën tjetër të kalasë, Shtëpia e Libovitëve. Rigjenerimi i Kalasë do shkojë dhe me një rrip tjetër. Sa kemi përfunduar procedurat e fundit burokratike sot për shpronësimin tek Sarajet.
E gjithë ndërtesa e Sarajeve do pësojë një transformim para se të hapet për publikun. Do kemi një skuadër restauratorësh.
Ky ndoshta do ishte momenti që të dëgjonim nga disa prej pronarëve, si ish-presidenti Nishani, nuk e kam dëgjuar sot të prononcohet për sarajet.
Nuk dua ta mendoj që fakti që është bashkëpronar e bën të diferencojë betejat”, tha Veliaj.

I pyetur se pse vonoi kaq shumë kjo çështje, shpronësimi i Sarajeve Veliaj përgjigjet se:

“Së pari se paratë nuk priten me gërshërë. Janë para që vijnë nga xhepi i publikes. Pra buxheti i shpronësimeve është fiks në një vit dhe secili prej projekteve zë një radhë. Dhe Lungomarja e Vlorës dhe e Sarandës, shkollat, ka një listë të stërgjatë. 10 muaj janë shpronësim i suksesshëm.
Çështja tjetër ka të bëjë me çmimin, e bëjmë shpronësimin me vlerën që ka në atë kohë. Për të gjithë ata që njihen me burokracinë e shpronësimeve, hyn tek të suksesshmet. Në ditët e para të shtatorit do ta marrim në pronësinë tonë dhe do ta regjistrojmë në emër të bashkisë së Tiranës. Nuk ka më gjasë të funksionojë plani. Plani i shkollës Kosova dështoi mbrëmë tek Sarajet, kjo punë ka marrë fund”, tha ai.

Veliaj deklaroi se pasi prona të kaloi në emër të Bashkisë, do të ketë një rikonstruksion.

“Në fillim të shtatorit e marrim ne. Do të ketë një konkurs për rikonstruksionin. Është e ngushtë gama e atyre që janë të specializuar për këtë rikonstruksion, besoj që zgjat disa muaj puna dhe besoj vitin tjetër do kemi muzeun etnografik të Tiranës dhe muzeun e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.
Sot ne nuk kemi të drejtë administrimi por në momentin që kalon shpronësimi bëhet pronë e bashkisë së Tiranës. Në atë moment hapim procedurat për rikonstruksionin e asaj ndërtese”, sqaroi Veliaj.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *