Idrizi nga Vlora: Ta bëjmë Ballkanin nga një fuçi baruti në një zonë të lirë ekonomike

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet vijoi rrugëtimin elektoral në Vlorë, ku bashkë me këshilltarët e listës për bashkitë e këtij qarku zhvilluan takimin me mbështetësit, patriotët dhe elektoratin. Kryetari i PDIU-së, Z. Shpëtim Idrizi së bashku me kandidatët për këshilltarë prezantuan pikat e programit politik që përbashkon në zgjedhjet lokale të 14 majit, vizionin për Qarkun e Vlorës, po aq sa edhe për idealin patriotik. Në fjalën e tij, Idrizi theksoi se ekonomia duhet të jetë kryefjala, e pastaj vjen edhe Open Balkan, për paqe e bashkëjetesë në rajon.

“Çështja e shqiptarëve të Çamërisë është një çështje kombëtare, ashtu siç është çështja e Kosovës, çështja e të drejtave të shqiptarëve kudo ku janë. Janë një çështje e të gjithë shqiptarëve. Se sot ne po flasim për atë që po ndodh në Kosovë por ne në radhë të parë duhet ta shohim çëshjten e shqiptarëve nga ekonomia. Prandaj kemi bërë thirrje që ne t’i drejtohemi COMMONWEALTH-it ekonomik të shqiptarëve. Ne nuk kemi frikë që të lexojmë kushtetutën e Shqipërisë ku shkruhet e zeza mbi të bardhë për identitet dhe bashkim kombëtar. Hajde ta bashkojmë nga ekonomia. Të bëjmë një studim se kush janë avantazhet e ekonomisë shqiptare, kush janë avantazhet e ekonomisë së Kosovës dhe t’i bëjmë ato komplementarë. Se sot shohim që ka një konflikt mes Shqipërisë dhe Serbisë, ju duhet të dini se partneri më i madh tregtar dhe importuesi më i madh i mallrave në Kosovë, është Serbia. Pra, ka një nonsens shumë të madh. Sot, ne flasim për njohje apo mosnjohje, Kosova importon rreth 600 milionë euro produkte me Serbinë dhe vetëm 300 milionë me Shqipërinë. Nëse doni që të mos flasim për patriotizëm folklorik, hajde t’i kthejmë sytë nga ekonomia. Këto ka shtyrë gjithmonë përpara PDIU. E kur ne flasim për problemet që ka Kosova apo shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, apo shqiptarët kudo ku janë, ne jemi si ajo pjesa e trupit që dhemb kudo njëlloj. Jam dakord që ne duhet të kemi një paqe të madhe, sociale, historike, në të gjithë Ballkanin. Edhe me Open Balkan. Po ne s’mund të kemi Open Balkan nga sipër dhe ta lemë këtu nga poshtë me Greqinë. Jam dakord që të kemi një dakordësi të madhe si vende ku nuk kemi ku ta çojmë njëri-tjetrin, por të respektojmë të drejtat e minoritetit, të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, liritë dhe të drejtat e njeriut. Ta bëjmë pikërisht Ballkanin nga një fuqi baruti në një zonë të lirë ekonomike. Por kjo vlen për të tërë dhe jo vetëm për një pjesë” – theksoi Idrizi.

Këtë thirrje Idrizi e kishte për të gjitha forcat politike si përgjegjëse për këtë ideal përbashkues të shqiptarëve. Duke e vlerësuar Qarkun e Vlorës si një bastion jo vetëm të shqiptarëve të Çamërisë, por edhe si qytetin e flamurit, e patriotëve dhe qarkun që është bekuar me natyrën e potencialin e madh të zhvillimit, kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet theksoi se sa rëndësi ka që parlamenti i bashkive në këtë qark të punojë për t’i dhënë alternativë të rinjve të mos largohen nga vendi.

“Nuk bën punë vetëm kryetari i bashkisë. Sot jemi në demokraci. Është kryetari i bashkisë që duhet të zbatojë politikat e këshillit të bashkisë, e parlamentit të qytetit, që të japë llogari, që duhet të bëjë transparencë për ta parë Vlorën jo si një vendbanim, por si një perlë e turizmit dhe si një zonë ekonomike me potenciale të jashtëzakonshme”.

Nga qyteti i flamurit edhe deputeti i Parlamentit shqiptar nga qarku i Vlorës, Z. Gëzim Ademaj bëri thirrje që shqiptarët të bashkohen në këto zgjedhje për t’u bërë faktorë ndërkombëtarë me historinë e një kombi që qytetarët i ka anembanë botës. Ndërsa deputeti i qarkut të Fierit në Parlamentin e Shqipërisë, nga Vlora ftoi të gjithë patriotët të ndikojnë me votën e tyre për të mbështetur një kauzë kombëtare.

Nga ana tjetër kandidatët për këshilltarët në bashkitë e qarkut të Vlorës, shumë prej të cilëve janë të rinj që vijnë nga Klubi i Patriotëve premtuan se do të jenë zëri jo vetëm zëri i kauzës së PDIU-së, por i gjithë shqetësimeve të komunitetit.

Kryetari i PDIU-së në degën e Vlorës, Besmir Brahimi njëkohësisht edhe i pari në listën e këshilltarëve theksoi se misioni që i përbashkon, atë, me mjeken Rajmonda Zoto, Puen Bajramin, Ergin Mersinin, Dritan Gargajn në Selenicë, Shkëlqim Sulon nga Babica dhe gjithë emrat për këshilltarë bashkiakë nga PDIU, është një mision shumë më i fortë se çdo interes personal.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *