Agjencitë imobiliare pohojnë se në vitin 2022, çmimet e qirave të apartamenteve janë rritur nga 30 deri në 100 euro më shumë se vjet. Rritja e çmimeve është ndikuar nga kërkesa e lartë e të huajve dhe studentëve. Krahasuar me vjet, kërkesa për apartamente me qira nga të ardhurit e rretheve është tkurrur për shkak të emigracionit. Kërkesa nga vendasit përqendrohet te të ardhurit që jetojnë në Tiranë, të cilët nuk kanë mundësi të blejnë shtëpi. Rritje çmimesh është shënuar edhe te qiratë e zyrave.
Dorina Azo
Edhe këtë vit, në Tiranë, çmimet e qirave kanë shënuar rritje që u forcua që pas ngjarjes së tërmetit të 2019-s. Agjencitë imobiliare thonë se çmimet e qirave janë rritur nga 30 deri në 100 euro më shumë se vjet. Agjentët imobiliarë shtojnë se rritja e çmimeve është ndikuar nga kërkesa e lartë.
Rritja e kërkesës, veçanërisht këtë vit, është zgjeruar nga shtetasit e huaj, që për shkak të elasticitetit që ofron puna online, kërkojnë të jetojnë 6 muaj apo 1 vit me qira në Shqipëri. Pavarësisht se kërkesa për qira dominohet nga vendasit për këtë kategori, është në rënie krahasuar me vjet.
Reduktimi është te të ardhurit nga rrethet, për shkak të emigracionit jashtë vendit, kryesisht në Gjermani.
Shtatori konsiderohet piku i kërkesës për qira për shkak të fillimit të vitit të ri akademik universitar dhe projekteve të reja, pas përfundimit të verës, ku agjencitë e pasurive të patundshme mbyllin 37% të kontratave të dhënies me qira. Çmimet kanë shënuar tendencë rritëse edhe për ambientet e zyrave në Tiranë.
Si kanë ndryshuar çmimet e qirave
Nga analiza që agjencitë imobiliare dhe “Keydata” bën për çmimet e qirave të apartamenteve vlerësohet se në vitin 2022, rritja e çmimeve varion nga 20 deri në 40% më shumë se vjet.
Sipas Yll Sula, CEO i grupit mediatik “Çelësi” dhe “Keydata”, zona me rritjen më të ulët të çmimeve të qirave në muajt janar-gusht është “Don Bosko”, me shtrenjtim 20% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa ish-Blloku kushton 40% krahasuar me vjet.
Dritan Leka, nga agjencia “Century 21 CPM Smart”, tha për “Monitor” se brenda zonës urbane të kryeqytetit, në vitin 2022 nuk gjen më apartamente me qira nën 300 euro. Vjet, sipas tij, çmimet minimale të apartamenteve me qira 1+1 nisnin nga 200 euro.
Leka pohon se rritja e çmimeve të qirasë për pronat ekonomike varion nga 30 deri në 100 euro. “Edhe këtë vit ka një kërkesë të lartë për apartamente me buxhete të vogla, e cila dominohet nga studentët dhe familjarët, të cilët nuk kanë mundësi financiare të blejnë apartament”.
Leka shton se rritja e çmimeve këtë vit është ndikuar më tepër nga cilësia e ndërtimit dhe mobilimi i apartamentit, sesa nga vendndodhja.
“Kemi pasur prona 2+1 në rrugën ‘Jordan Misja’ (pranë Burgut 313) që janë lëshuar me qira mujore 1,000 euro. Cilësia e punimeve dhe veçanërisht mobilimi po luajnë rolin kryesor te çmimi. Këto prona me qira të shtrenjtë merren kryesisht nga shtetas të huaj që disponojnë buxhet 2,000 deri në 4,000 euro vetëm për qiranë”.
Konkretisht, sipas të dhënave të agjencisë “Century 21 CPM Smart”, zonat si ish-Blloku, Tirana e Re, Rruga e Elbasanit, pranë stadiumit “Air Albania” konsiderohen më të shtrenjtat në kryeqytet, ku çmimi minimal i qirasë së një apartament 1+1 në ndërtimet e reja varion nga 700 deri në 1,100 euro, ndërsa për apartamentet 2+1 dhe 3+1, çmimet variojnë nga 1,200 deri në 2,000 euro.
Konkretisht bëhet fjalë për prona me vendndodhje të arritshme në largësi me qendrën pa makinë, si dhe ofrojnë parkim, ashensor, mobilim bashkëkohor dhe pozicion të mirë të pallatit.
Çmimet e apartamenteve me mobilim ekonomik apo bosh në ndërtimet e reja te këto zona variojnë nga 700 deri në 800 euro. Ndërsa çmimet e zyrave janë 700 deri në 1,000 euro.
Çmimi mesatar i qirave për zonat e mësipërme është 400 deri në 500 euro në muaj për apartamentet 1+1, kurse për ato 2+1, çmimet variojnë nga 550 deri në 1,200 euro në muaj (rritja e lartë vjen nga zona e Liceut Artistik).
Sipas të dhënave të agjencisë, për zona pranë Stadiumit Dinamo, shkollës “Petro Nini Luarasi”, Komuna e Parisit dhe liqeni artificial, çmimi mesatar i qirave për apartamentet 1+1 varion nga 370 deri në 500 euro dhe për shtëpitë 2+1, nga 450 deri në 800 euro.
Ndërsa në zonat periferike si “Astiri” dhe “Fresku”, çmimi i qirave në apartamente 1+1 varion nga 300 deri në 400 euro dhe për prona 2+1, çmimi është 350 deri në 500 euro.
Për shkak të transferimit të UET në Kinostudio dhe Kolegjit Kanadez të Informatikës që ndodhet në këtë zonë, këtë vit ka pasur rritje të çmimit të qirave në zonën e “Kinostudios”, “Freskut” dhe Rrugës Bardhyl.
Lorina Rada, ndërmjetësuese e pasurive të paluajtshme në “Century 21 CPM Smart” nënvizon për “Monitor” se krahasuar me vjet, çmimet në këto zona janë rritur 30%. “Nga 270 deri në 330 euro që ishte vjet çmimi i qirasë për një apartament 1+1, këtë vit në këto zona çmimi minimal ka arritur 350 euro. Ndërsa për apartamentet 2+1, çmimet variojnë nga 350 deri në 420 euro”.
CEO dhe themeluesi i agjencisë së pasurive të patundshme “Future Home”, Fatjon Hysenbelliu, tha për “Monitor” se krahasuar me vjet, çmimet e qirave të apartamenteve janë rritur 100 euro më shumë.
Sipas të dhënave të agjencisë “Future Home”, në vitin 2021, çmimi i qirasë së një apartamenti 1+1 në zonën e ish-Bllokut ishte 500 euro, ndërsa këtë vit është 600 euro në muaj. Edhe në zonat e tjera ka pasur rritje çmimesh. Në Rrugën e Elbasanit, vitin e kaluar, apartamentet 1+1 janë dhënë me qira 400 euro.
Në vitin 2022, çmimi është rritur 25%. Të njëjtën rritje kanë shënuar edhe çmimet e qirave pranë Stadiumit Dinamo dhe në “Komunën e Parisit”. Edhe në zonën e “Don Boskos”, sipas të dhënave të agjencisë, çmimet e qirave për apartamentet 1+1 janë rritur me 25%.
Në zonat e periferisë si “Kinostudio” dhe “Fresku”, rritja e çmimit të qirasë varion nga 20 deri në 25% më shumë krahasuar me vjet.
Kërkesa për qira nga të huajt dhe studentët po nxit rritjen e çmimeve
Aktorë të tregut të pasurive të paluajtshme thonë se arsyeja e rritjes së çmimeve është kërkesa e lartë. Agjencitë imobiliare pohojnë se këtë vit ka pasur rritje të lartë të kërkesës nga të huajt që vijnë të jetojnë në Shqipëri.
Sipas tyre, tendencë të fortë në rritje këtë vit kanë shënuar çmimet e qirave të apartamenteve të reja, për shkak të investimeve cilësore që përfshijnë edhe parkime. Dritan Leka thekson se këto apartamente po kërkohen kryesisht nga shtetas të huaj që zotërojnë buxhet të lartë për qira.
“Periudha shtator-tetor përkon me fluksin më të lartë të kontratave të qiradhënies për shkak të fillimit të vitit të ri akademik dhe ardhjes së studentëve. Kjo kategori merr më tepër prona me qira të ulët, deri në 300 euro. Ndërsa pronat me çmime të larta parapëlqehen kryesisht nga të huajt.
P.sh., studentët italianë që vijnë për studime në universitetin e “Zojës së Këshillit të Mirë” marrin apartamente më të shtrenjta se studentët shqiptar, për shkak të bursës së lartë të studimeve.
Edhe rritja e numrit të institucioneve europiane për shkak të pranimit të kërkesës së Shqipërisë si vend kandidat në BE, ka shtuar fluksin e të huajve që kërkojnë apartamente me qira. Kjo kategori kërkojnë prona të shtrenjta për shkak buxhetit të lartë që kanë në dispozicion”, pohon ai.
Sipas CEO-s së agjencisë “Future Home”, rritje çmimesh ka pasur thuajse në të gjitha zonat e Tiranës dhe kjo më tepër në komplekset e reja, e cila justifikohet me investimin dhe cilësinë në raport me ndërtimet ekzistuese. “Nëse e konvertojmë në vlerë, rritja e qirave këtë vit shkon mesatarisht 100 euro më tepër se viti i kaluar për njësitë e banimit 1+1 dhe 2+1”, pohon ai.
Të huajt sot përbëjnë pjesën më të madhe të qiramarrësve. “Shtetasit turq që punojnë në Shqipëri po investojnë më tepër në zonën e ‘Don Boskos’, ndërsa italianët janë të shpërndarë rreth liqenit dhe zonës së ‘Komunës së Parisit’”, shton Hysenbelliu.
Lorina Rada, broker e agjencisë “Century 21 CPM Smart”, nënvizon se faktor tjetër që ka ndikuar te rritja e kërkesës është fillimi i vitit të ri universitar.
“Duke qenë se jemi në periudhën e vitit të ri universitar, çmimi mesatar për qiratë ka shënuar rritje, pasi shtatori është periudha kur mbyllen afërsisht 37% e kontratave.
Çmimet e qirave në zonat e ‘Brrylit’, ‘Kinostudios’ dhe ‘Freskut’ kanë shënuar rritje, për shkak të shtimit të universiteteve në zonën e ‘Kinostudios’. Gjithashtu edhe në zonat e tjera, si: ‘Don Bosko’, ‘Laprakë’, pjesa e fushës së ish-Aviacionit Civil, tregu i qirave ka marrë hov të madh zhvillimi për shkak të hapjes së universitetit të katolik ‘Zoja e Këshillit të Mirë’”.
Duhet të theksohet se një pjesë e konsiderueshme e studentëve që regjistrohen për herë të parë në universitetet shtetërore nuk arrijnë të qëndrojnë në godinat shtetërore, për shkak të kapacitetit të ulët strehues.
Zgjidhje parësore për këta studentë mbetet marrja e një apartamenti me qira, që ndahet me 2 apo 3 studentë të tjerë. Shuma vjetore për strehimin në godinat e Qytetit Studenti është 50,000 lekë.
Rada nënvizon, ndër të tjera, se rritja e çmimeve të apartamenteve është ndikuar edhe nga bizneset që përdorin apartamente për zyra, kryesisht kompani të reja ose startup
Rritet fluksi i nomadëve dixhitalë në Shqipëri
Lorina Rada, ndërmjetësuese e pasurive të paluajtshme në “Century 21 CPM Smart” thotë se rritja e çmimeve është ndikuar nga kërkesa e lartë, veçanërisht të huajve dhe studentëve.
“Kërkesa konsiderohet e lartë dhe këtë e tregon edhe koha që qëndrojnë të listuara apartamentet, e cila është relativisht e shkurtër. Këtë vit është rritur kërkesa nga shtetasit e huaj për shkak të fleksibilitetit që ofron puna në distancë. Jetesa në Tiranë është bërë shumë e pëlqyeshme, për shkak të kostos së ulët, ushqimit të mirë dhe klimës.
Flukse të larta të kërkesës për apartamente ka kryesisht nga shtetas rumunë, amerikanë, turq, holandezë, gjermanë që po punojnë në distancë në Shqipëri për periudha 6 muaj deri në 1 vit. Ata janë kryesisht me profesion në teknologjinë e informacionit.
Të huajt parapëlqejnë zona më të arritshme me qendrën dhe apartamente me mobilime të reja dhe moderne. Shumë prej të huajve kanë sjellë edhe fëmijët për të jetuar në Tiranë gjatë periudhës që ata punojnë këtu, për shkak të pranisë së shumë kolegjeve që ofrojnë mësim në gjuhën angleze”.
Sipas Digital Nomad Statistics, vlerësohet se ka rreth 35 milionë nomadë dixhitalë në mbarë botën. Nomadët dixhitalë kontribuojnë me një vlerë ekonomike globale prej 787 miliardë dollarësh në vit.
Nëse lëvizja globale nomade dixhitale do të ishte një vend, do të renditej në vendin e 41-të në botë për sa i përket popullsisë. Për këtë vit, Meksika është vendi më popullor për nomadët dixhitalë në botë.
Tajlanda është e dyta më e popullarizuara. Vende të tjera të parapëlqyera përfshijnë Kroacinë, Turqinë, Portugalinë dhe Afrikën e Jugut.
Mosha mesatare e një nomadi dixhital është 32 vjeç dhe shumica e nomadëve dixhitalë e nisin udhëtimin e tyre nomad në moshën 29-vjeçare. SHBA përbën më shumë se 51% të nomadëve dixhitalë në gjithë botën. 46% e nomadëve dixhitalë janë të vetëpunësuar dhe 35% janë të punësuar nga një kompani.
Tkurret kërkesa për qira nga familjarët vendas
Në tregun e qirave të pasurive të paluajtshme, agjentët e pasurive të patundshme pohojnë se numrin më të lartë të kërkesave e zënë gjithmonë shtetasit e huaj.
Këtë vit, krahasuar me vjet vihet re tendenca rënëse e vendasve për shtëpi me qira, për shkak të migracionit. Ndërsa numri i shtetasve të huaj që marrin shtëpi me qira në Tiranë këtë vit është rritur.
“Fluksi i madh i të ardhurve nga rrethet që kërkojnë shtëpi me qira në Tiranë ka pasur përqendrim të lartë deri në vitin 2019. Pas kësaj periudhe, numri i tyre ka rënë, për shkak të emigracionit. Kërkesa vendase këtë vit është e përqendruar më shumë nga studentët dhe familjarët që nuk kanë mundësi financiare për të blerë një shtëpi”, thekson Ylli Sula.
Lorina Rada, ndërmjetësuese e pasurive të paluajtshme “Century 21 CPM Smart” thotë se ndër faktorët kryesorë të rritjes së kërkesës këtë vit janë të huajt dhe studentët. “Pjesa tjetër janë vendas të ardhur në Tiranë që nuk kanë blerë apartamente, ose janë në pritje të dokumenteve për në Gjermani”.
Tendenca
Blerja apo marrja e apartamenteve me qira dhe ridhënia e tyre me qira ditore vijon të shënojë rritje. “Shqiptarët po blejë prona për t’i trajtuar në formë investimi me qira ditore dhe mujore. Ky është trendi aktual për kategorinë vendase të tregut të qirave”, nënvizon Fatjon Hysenbelliu.
Arsyeja e parë pse investohet me qira afatshkurtër në formën “B&B”, sipas Dritan Lekës nga agjencia imobiliare “Century 21 CPM”, është “pasi kemi të bëjmë me një sektor të ri në Shqipëri dhe si i tillë ka ende nevojë për t’u eksploruar dhe stabilizuar.
Së dyti, sepse është një sektor mjaft fitimprurës dhe sa më i lartë të jetë numri i apartamenteve që një entitet apo individ zotëron, atëherë në ekonominë e shkallës do t’i ulen edhe kostot për mirëmbajtjen e tyre.
Së fundi, është një mundësi mjaft e mirë për të ardhura shtesë, të cilat nuk kanë nevojë për shumë angazhim, pasi puna më e madhe zhvillohet nga aplikacionet në përdorim si Booking.com apo AirBnb”, pohoi ai më herët.
Tendenca për këtë lloj aktiviteti është shtuar kryesisht nga të rinj që kanë një profesion dhe këtë biznes e ushtrojnë për të ardhura të dyta. Kjo kategori merr apartamente me qira, për t’i ridhënë me qira ditore në formën e “B&B”.
/monitor