Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkarkimin nga detyra të tre gjyqtarëve të Durrësit, Klinton Spahiu, Petrit Ceno dhe Petraq Dhimitri, të dënuar më parë për korrupsion pasiv nga ish-Krimet e Rënda.
Tre gjyqtarët u bënë të njohur rreth shtatë vite më parë, pasi shkuan në Spanjë ne tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku, pronari i një kompleksi turistik në Durrës, udhëtim i paguar prej tij.
Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”. Biznesmeni Sadiku ishte palë në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Ceno dhe Petraq Dhimitri.
Metani i ka kërkuar KLGJ-së me kërkesë edhe për shkarkimin e gjyqtares së Apelit Tiranë, Evgjeni Sinoymeri, e cila pak ditë me parë u shkarkua nga shkalla e parë e vettingut. Më herët me kërkesë të ILD-së u shkarkuan gjyqtari i Korçës Markeljan Kuqo, gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha dhe Prokurori i Krujës Bujar Memia.