Importet e sheqernave bien 41%/ Konsumi ka rënë nga emigracioni

Largimet masive të popullatës vijojnë të thellojnë tkurrjen e konsumit të produkteve të shportës ushqimore. Në periudhën janar-prill 2023, importet e grupit të “Sheqernave dhe ëmbëlsirave prej tij” sipas të dhënave të INSTAT janë ulur 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022. Në këtA 4 muaj kjo është sasia më e ulët e importeve të shënuara për të njëjtën periudhë të 8 viteve të fundit. Kompanitë importuese të sheqerit pohuan se prej disa muajsh, tendenca e çmimeve është në rënie dhe sipas tyre, rënia e importeve është tërësisht për shkak të largimeve masive të popullatës në emigracion, veçanërisht në zonat rurale.

Grosistët theksuan se nga largimet e popullatës është prekur i gjithë zinxhiri tregtar i këtij produkti, veçanërisht sektori retail i produkteve ushqimore, pastiçeritë dhe kantinat e pijeve alkoolike që raportojnë rënie konsumi deri në 30%.

“Furnizuesit tanë kryesorë që janë dyqanet retail dhe pastiçeritë raportojnë rënie konsumi 30% më pak se vjet, për shkak të largimit të popullsisë.

Fshatrat pothuajse po boshatisen. Shitjet më tepër janë të përqendruara në Tiranë dhe Durrës”, pohoi një nga përfaqësuesit e kompanive importuese të sheqerit. Importuesit e sheqerit theksuan se në muajin maj kanë rritur sasinë e importeve dhe kjo për shkak të fillimit të sezonit të turizmit. Në muajin maj, çmimi i sheqerit u rrit në bursat e huaja 5% krahasuar me muajin paraardhës e ndikuar nga shtimi i kërkesës së vendeve të huaja.

Grosistët shqiptarë nënvizojnë se nuk reflektuan rritjen e çmimit në tregun shqiptar për shkak të sasisë së lartë të stokut të mallit të pashitur që disponojnë. Magazinimet e sheqerit u shtuan veçanërisht në periudhën e rritjes së fortë të çmimit të produktit në tregjet e huaja për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Ndryshimi i çmimeve detyroi importuesit të magazinonin sasi të pashitur të produktit deri në 4 muaj. Rënie të lartë në periudhën janar-prill shënuan edhe importet e drithërave. Krahasuar me 2021, sasia e importuar u ul 28,6%. Importuesit e grurit nënvizuan se rënia e importeve ndikohet nga tkurrja e konsumit, për shkak të largimeve në emigracion, kryesisht të pjesës më të madhe konsumatorë që janë të rinjtë. Grosistët e grurit thanë se konsumi është tkurrur 30 deri në 35% më shumë se vjet, në një kohë kur çmimi i miellit për bukë në Shqipëri është ulur 27% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, ku për shkak të konfliktit në Ukrainë, çmimi i miellit arriti nivelin më të lartë në vlerën e 90 lekë për kg./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *